Trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, mendon se ekipi i tij nuk ka nevojë për Fernando Torresin, sulmuesin e Liverpoolit, i cili i shënoi dy gola të kaltërve të Londrës të dielën e kaluar.
Pas paraqitjes së mrekullueshme të sulmuesit spanjoll në këtë ndeshje, janë shtuar zërat mbi të ardhmen e Torresit dhe mendohet se destinacioni i tij do të jetë pikërisht Chelsea.
“Nuk është vetëm Torresi që ka luajtur mirë kundër nesh. Edhe Tevez na ka krijuar probleme kur jemi ndeshur me Manchester Cityn”, ka thënë trajneri italian.
“Janë lojtarë të shkëlqyer, por kur në skuadër ke Drogban dhe Anelkan nuk mendon për të tjerët”, sqaroi Ancelotti.
“Kur Drogba nuk do mund të luajë më në nivele të larta do të mendojmë për blerjen e një sulmuesi si Torres. Por, kur Drogba të jetë i padobishëm, Torres atëherë do të jetë i vjetër”, përfundoi Ancelotti.