www.Zemra.Org

Eksperienca e Christina Aguileras

Këngëtarja e talentuar flet në intervistën e mëposhtme për divorcin me Jordan Bratman, periudhën e vështirë që ka kaluar dhe përse ka vendosur ta ndajë publikisht eksperiencën e saj.

Christina Aguilera nuk ka pasur një fillimvit të përkryer. U nda nga i shoqi, Jordan Bratman, ngatërroi tekstin e himnit amerikan gjatë zhvillimit të Super Bowl, ndërsa, sikur të mos mjaftonin këto, edhe u rrëzua në skenë gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Grammy”. Po të vijojmë më tej, duhet të përmendim edhe që në fillim të muajit mars, këngëtarja u arrestua së bashku me të dashurin Matt Rutler, nën akuzën e dehjes në publik. Megjithatë, tani Aguilera po përpiqet t’i kthehet pas jetës normale, ndërkohë që i është bashkuar treshes së njohur Cee Lo Green, Adam Levine dhe Blake Shelton, në jurinë e reality-show-t që zhvillohet në rrjetin televiziv NBC, “The voice”. E kush më mirë se Christina Aguilera mund të japë vlerësime për vokalin në një kompeticion të tillë?!
“Dua të flas”

Aguliera është shprehur për gazetarët se ajo nuk po mundohet t’ia “mbathë”, kur vjen puna për t’u përballur në publik dhe mediat në lidhje me incidentet e fundit në jetën e saj. Në fakt, këngëtarja bionde me sy të kaltër dëshiron të ndajë eksperiencat e saj të mira apo të këqija qofshin, me pjesëmarrësit në këtë reality-show, ku ajo vepron si udhëheqëse. “Mendoj se kjo është një periudhë e shkëlqyer në jetën time për të bërë këtë show, për shkak se vitin e shkuar ka pasur goxha pengesa. Më është dashur të kaloj një divorc, për vështirësinë e të cilit është në gjendje të flasë vetëm ai person që ka kaluar përmes kësaj eksperience. Është një kohë çrrënjosëse në jetë, në udhën e së cilës ka pasur ulje e ngritje. Fatkeqësisht, në të tilla ngjarje, e gjithë bota është dëshmitare dhe gjyqtare. Unë mund të qesh me eksperiencat e mia në jetë, sepse po kaloj përmes tyre.
“Gabimet janë pjesë e jetës”
Nëse bëni një gabim, e çfarë pastaj?! Jemi njerëz dhe thjesht jemi gatuar kështu. E mira e gjithë kësaj është që në fund të ditës mund t’i vërtetosh vetes dhe gjithë të tjerëve që je e fortë mjaftueshëm që të ngjitesh në skenë dhe të mos kesh frikë, të tentosh përsëri dhe të besosh që gjithçka do të bëhet më mirë.
“E gatshme për t’u rrëfyer për vitet e fundit”
Mendoj se gjëja më e rëndësishme për mua është të flas për ulje-ngritjet në jetën dhe karrierën time, veçanërisht duke iu referuar viteve të fundit. Ju e dini që ka pasur gjëra jo pozitive që më kanë ndodhur në skenë, të cilat çdo performues mund t’u referohet, por unë jam e lumtur që i ndaj këto momente në një ambient shumë intim, siç është reality-show “The voice”. Po zbuloj shumë nga vetja dhe besoj se po tregoj një anë timen që shumë persona nuk e kanë njohur më parë, atë pjesë që e shohin vetëm miqtë e mi të ngushtë kur kamerat janë të fikura. Pra, dua të jem shumë e hapur në këtë show. Edhe unë jam njeri, dhe të gjithë bëjnë gabime, kështu që kam vendosur që gjërat që kam kaluar në jetë, t’i tregoj në këtë spektakël.
A do ta dëgjojnë fansat zërin e saj të famshëm?
Në shfaqjen e parë të këtij spektakli, pati një performancë të katërshes së jurisë. Ishte shumë gallatë, kështu që shikuesve do t’u jepet mundësia të më shohin, pavarësisht faktit që jam tutore. Për më tepër, nëse unë dua që konkurrentët të këndojnë në X mënyrë, do të jem unë ajo që do t’ua tregoj se si, duke kënduar vetë. E bukura e këtij show është që ne e kthejmë gjithçka në muzikë të vërtetë. Po të kthejmë kokën pas, do të shohim që mënyrat se si shfaqej një artist, do të ishin ose përmes MTV, ose përmes videove në internet etj. Gjithçka vërtitet rreth kohës kur juve ju pëlqente të blinit një disk, muzikë të pastër, sepse tingëllonte mirë në veshët tuaj, ndaj episodi i parë i këtij spektakli, që e bën të veçantë performancën, do të jetë një audicion “i verbër”, ku publiku do të ketë mundësi vetëm t’i dëgjojë konkurrentët të këndojnë me zemrat e tyre, për t’i gjykuar më pas në bazë të vokalit.
Zërat që impresionojnë Christina-n
Dikush, që, sipas saj, ka sjellë muzikën përherë drejt një qasjeje bashkëkohore, është Lauryn Hill. “Më çmend zëri i saj dhe mënyra se si ajo e përdor atë. Përcjell gjithmonë shpirtin dhe pasionin e vet, qoftë edhe përmes një kënge pop që transmetohet në radio. Jennifer Hudson ka gjithashtu një zë të mrekullueshëm dhe me të vërtetë jam kënaqur ndërsa kam punuar me të.

Exit mobile version