Shkup, 22 maj – Javën e fundit janë intensifikuar aktivitetet për themelimin e një partie maqedonase e cila synon që me përfshirjen e shqiptarëve dhe etniteteve tjera të ketë karakterin multietnik.
Burime mirë të informuara për ‘Zhurnal’ flasin se themelues dhe koordinator kryesor i këtij subjekti është një zyrtar dhe funksionar i lartë maqedonas në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK).
Qëllimi i kësaj partie është të promovojë publikisht vlerat evropiane duke i joshur qytetarët e dëshpëruar shqiptarë, turq, romë, vllehë dhe të tjerë.
Sipas burimit në fjalë partia maqedonase do të ketë logon e Bashkimit Evropian (BE), moton për bashkëjetesë multietnike dhe paltformën për integrim në BE dhe NATO, merr vesh Zhurnal.
E gjithë kjo do të mundësonte që qytetarët e etnive të ndryshme të “mashtrohen” dhe të regjistrohen në këtë subjekt të ri maqedonas, i kontrolluar direkt nga shërbimi sekret maqedonas.
Madje, thuhet se aktivizimi i kësaj partie “evropiane” bëhet si kundër-përgjigje ndaj jehonës së liderit opozitar maqedonas Zoran Zaev i cili kohëve të fundit është bërë simbol i bashkëjetesës në Maqedoni.
Kjo kundërpërgjigje e pushtetit të Gruevskit ndaj opozitës maqedonase flitet se mund të jetë e njëjtë si me vendosjen e çadrave. VMRO-DPMNE-ja vendosi çadra para Parlamentitr si kundërpërgjigje ndaj protestuesve të LSDM-së para godinës së Qeverisë, shkruan Zhurnal.
Promovimi i kësaj partie pritet të bëhet së shpejti në Shkup dhe momentalisht janë duke u siguruar nënshkrime të cilat janë të domosdoshme, sipas Ligjit për themelimin apo riaktivizimin e një partie politike.
Kjo “parti e shërbimit sekret” do të flasë edhe në gjuhën shqipe me qëllim që të depërtojë sa më shumë të jetë e mundur tek elektorati shqiptar i dëshpëruar në Maqedoni, duke tentuar të “kontrollojë” shoqërinë shqiptare në vend.
Gjithashtu ‘Zhurnal’ meson se kjo parti do të mbështet fuqishëm nga mediat proqeveritare në Maqedoni.