www.Zemra.Org

Faktorët që çojnë në vrasje: Nga gjendja socio-ekonomike deri tek armët pa leje

Pistolete dhe revolver

Vrasjet në Kosovë janë duke alarmuar shoqërinë dhe duke shtuar panikun, thonë njohës të fushës së sigurisë dhe të sociologjisë.

Paniku, sipas tyre, shtohet edhe më kur vrasje ndodhin brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Tri vrasje u raportuan në dy ditë të kësaj jave nga Policia e Kosovës. Të tria ndodhën në Prishtinë.

Të mërkurën, një grua u qëllua për vdekje me armë zjarri, gjatë një grabitjeje të dyshuar. Po atë ditë, një burrë humbi jetën nga shkaktimi i plagëve me thikë.

Të enjten, një i dyshuar për një grabitje që ndodhi më 22 nëntor në një argjendari në Suharekë, u vra gjatë një këmbimi të zjarrit me policinë.

Për të tria rastet, policia tha se është duke hetuar dhe se ka disa të arrestuar.

Sipas të dhënave të saj për periudhën janar-tetor të këtij viti, numri i vrasjeve të evidentuara në Kosovë ka qenë 26. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishte 21.

Shumica e këtyre vrasjeve thuhet se janë kryer me armë zjarri.

Çka çon deri tek akti i dhunshëm?

Avni Islami, profesor i Shkencave të Sigurisë në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se shumica e këtyre vrasjeve kanë një emërues të përbashkët: faktorin ekonomik-social.

“Nuk mund ta fshehim se shkalla e papunësisë është e madhe, shkollimi joadekuat, ashtu sikurse edhe niveli i mirëqenies sociale në çdo familje”, thotë ai.

Me këtë mendim pajtohet edhe sociologia Erisë Hajrizi. Sipas saj, kjo situatë ndodh si pasojë e panikut që kanë njerëzit nga ndjenja e pasigurisë së përgjithshme.

Ajo thotë se kjo ndjenjë buron edhe nga mosbesimi ndaj institucioneve dhe shërbimeve që ato ofrojnë. Kontribut, shton Hajrizi, kanë edhe rrjetet sociale dhe media të caktuara me, siç shprehet, “shkrime joprofesionale”.

“Raportohet në një mënyrë krejtësisht polarizuese, ‘e tmerrshme’, ‘shikojeni se si është kryer një krim në Kosovë’, ose ‘e vrau këtë, ose atë’… Nuk ka gjuhë profesionale për t’iu qasur masës, për të mos krijuar panik dhe ndjenjë të frikës. Ndonjëherë, vetë ideja që ne mendojmë se ekziston një krim, e sjell një krim”, thotë Hajrizi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, edhe migrimi i brendshëm ka vënë përballë mentalitete të ndryshme të njerëzve, mosmarrëveshjet e të cilëve shndërrohen në “qërim hesapesh”.

“I shohim vazhdimisht këto polarizime, qofshin ato politike apo ekonomike. I sheh disa njerëz, të cilët jetojnë një jetë të lumtur, ose në një rrafsh krejt tjetër social dhe, po ashtu, sheh një pjesë tjetër që jeton në një rrafsh krejt tjetër social dhe ekonomik. Sigurisht që polarizimet ose ekstremet te njerëzit ose te popullatat [e caktuara] sjellin ndeshje të njëra-tjetrës dhe pastaj vjen deri te një moskuptim shoqëror”, thotë Hajrizi.

Kosova nuk ka të dhëna të përditësuara për varfërinë në vend. Të fundit, të përpiluara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe Banka Botërore, janë të vitit 2017 dhe, sipas tyre, 18 për qind e popullsisë së Kosovës jeton në varfëri, përkatësisht me rreth 2 euro në ditë, kurse 5.1 për qind në varfëri të skajshme apo me më pak se 1.5 euro në ditë.

Shkalla e papunësisë është gati 12 për qind.

Këtë vit ishte në rënie, por vitin e kaluar Kosova e mbylli me shkallë të inflacionit rreth 12%, nga 3.4% sa ishte në vitin 2021.

Paga mesatare në vend është rreth 520 euro, ndërsa minimalja sillet nga 130 deri në 170 euro.

Disa kategori të shoqërisë përfitojnë nga skemat sociale që ndajnë institucionet e vendit.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare, Islami thotë se shkalla e vrasjeve në Kosovë po shënon ngritje.

Sipas tij, një numër i madh i armëve vazhdon të mbetet në mënyrë të paligjshme në duart e qytetarëve.

“Ndjenja nga vetë arma dhe krisma e armës është një lloj pasigurie. Mirëpo, ky lloj ndjenje… nëse vazhdon kështu, secili nga ne do të mendojë se si të dalë nga shtëpia dhe sa është i sigurt”, shprehet Islami.

Politikë “e butë” e ndëshkimit për armëmbajtje pa leje

Policia e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë për numrin e armëve pa leje, të konfiskuara deri në muajin nëntor të këtij viti.

Por, në periudhën janar-korrik, sipas të dhënave të saj, janë konfiskuar 636 armë zjarri. Vitin e kaluar, numri i armëve të konfiskuara ka qenë 1.473.

Po sipas këtyre të dhënave, policia, çdo vit, konfiskon 1.200 deri në 1.500 armë ilegale.

Një hulumtim i vitit 2015 i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës ka treguar se 250 mijë armë ilegale kanë qenë në pronësi të qytetarëve.

Shpat Balaj, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se armëmbajtja pa leje është bërë dukuri problematike.

“Përgjithësisht ka shumë armë pa leje në duart e qytetarëve dhe, rrjedhimisht, shkalla e krimeve të kryera me armë, në vitet e fundit, është duke u rritur dhe është duke u bërë edhe më problematike”, thotë Balaj.

Kodi Penal i Kosovës e sanksionon armëmbajtjen pa leje me gjobë prej 7.500 eurosh ose dënim me burg deri në 5 vjet. Aty parashihet edhe dënim dy deri në 10 vjet burg për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve. Për përdorimin e paligjshëm të armës “në mënyrë kërcënuese ose frikësuese”, është përcaktuar dënimi me gjobë deri në 10.000 euro dhe me burgim deri në 10 vjet

Balaj thekson se sanksionet ligjore për armëmbajtje pa leje nuk janë të buta, por i tillë është zbatimi i tyre nga gjykatat. Sipas tij, kjo ka bërë që fenomeni i armëmbajtjes pa leje të marrë hov.

“Shumica e dënimeve për armëmbajtje pa leje kalojnë me gjobë. Gjobat, në parim, nuk janë aq të larta, janë të përballueshme”, thotë Balaj.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Këshillit Gjyqësor të Kosovës me pyetjet se sa është numri i përgjithshëm i aktgjykimeve në të gjitha gjykatat në Kosovë për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve “ gjatë vitit 2023, si dhe sa raste janë ndëshkuar me gjobë, me kusht dhe me burg efektiv, por deri në publikimin e këtij artikulli, ky institucion nuk ktheu përgjigje.

Gjobat “sikur për kundërvajtje”

Të dhënat lidhur me numrin e përgjithshëm të aktgjykimeve për armëmbajtje pa leje për tre vjetët e fundit nuk ka arritur t’i sigurojë as Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili mbikëqyr punën e institucioneve të drejtësisë në vend, thotë Eranda Zekaj, hulumtuese në këtë institut.

Por, nga një hulumtim i IKD-së vitin e kaluar, thotë ajo, ka rezultuar se gjykatat, gjatë viteve 2018 dhe 2019, kanë zbatuar politika të buta të ndëshkimit për kryerësit e veprës penale të armëmbajtjes pa leje.

Hulumtimi, sipas saj, ka treguar se gjykatat themelore gjatë vitit 2019 kanë shqiptuar 133 dënime me gjobë, 46 dënime me kusht dhe 19 dënime me burgim. Ndërkaq, gjatë vitit 2018, janë shqiptuar 157 dënime me gjobë, 126 dënime me kusht dhe vetëm 13 dënime me burgim.

“Në qoftë se e marrim këtë paralele – për shembull në vitin 2019 deri në vitin 2020, kanë qenë vetëm 19 dënime me burg – shohim se kjo dukuri është tejet negative dhe ndikon tepër shumë ndaj preventivës dhe luftimit të saj në përgjithësi”, thotë Zekaj për Radion Evropa e Lirë.

Zekaj shton se, jo rrallë, dënimet me gjobë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje “janë të krahasueshme me dënimet për kundërvajtje”.

“Pra, dënimi me gjobë, si sanksion që zbatohet për veprën e armëmbajtjes pa leje në Kosovë, nuk e arrin qëllimin final të dënimit, që është parandalimi individual dhe i përgjithshëm, për forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit. Kjo, duke marrë parasysh numrin e madh të armëve pa leje që sekuestrohen nga ana e policisë së Kosovës në baza ditore, duke marrë parasysh krimet serioze që ndodhin dita-ditës. Andaj, është e domosdoshme që politika ndëshkimore të ashpërsohet ndaj kryerësve të tillë, në mënyrë që të parandalohet kjo dukuri”, vlerëson Zekaj.

Gjykatat themelore në shtatë rajonet e Kosovës nuk i kanë bërë publike të gjitha aktgjykimet për armëmbajtje pa leje. Në pak nga këto aktgjykime që janë publikuar në vitin 2023 për rastet e armëmbajtjes pa leje, e në të cilat Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje, kryerësit e veprës penale janë gjobitur me gjoba prej 200 euro deri në 2.000 euro.

Dënim me burgim deri një vit e katër muaj për armëmbajtje pa leje është shqiptuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por i akuzuari ishte dënuar edhe me 10 vjet të tjerë për vrasje.

Për armëmbajtje pa leje, një dënim me 180 ditë burgim është evidentuar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Për dy javë, 15 raste të armëmbajtjes pa leje

Sipas raporteve 24-orëshe, të cilat i publikon rregullisht Policia e Kosovës, në dy javët e kaluara janë evidentuar së paku 15 raste, ku armët e zjarrit janë përdorur ose janë mbajtur pa autorizim nga persona të caktuar.

Më 20 nëntor, persona të maskuar dhe të armatosur me armë të gjata kanë sulmuar me mjet shpërthyes bankomatin e bankës TEB në Gjilan.

Më 22 nëntor, katër persona të maskuar dhe të armatosur kanë kryer grabitje në një argjendari në Suharekë. Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës u plagosën gjatë këmbimit të zjarrit me grabitësit.

Po atë ditë, në dy raste veç e veç, në Prishtinë dhe Prizren, nga persona të dyshuar janë hedhur mjete shpërthyese. Në rastin në Prishtinë janë raportuar dëme materiale, ndërkaq në rastin në Prizren, si pasojë e shpërthimit, kanë pësuar lëndime trupore dhjetë persona. Më 26 nëntor është shënuar edhe një rast i hedhjes së një granate në Mitrovicë të Veriut, por nuk ka pasur viktima.

Një person në Graçanicë, më 18 nëntor, dhe një person tjetër në Prishtinë, më 20 nëntor, janë gjetur të vdekur dhe dyshohet se kanë bërë vetëvrasje me armë zjarri.

Në përleshjet fizike, në tri raste veç e veç, më 15 nëntor në Gjilan, më 20 nëntor në fshatin Uglar të kësaj komune, si dhe më 21 nëntor në fshatin Shkabaj të Prishtinës, janë përdorur armët e zjarrit, të cilat më pas janë konfiskuar nga policia.

Exit mobile version