Edhe pse ato foto u publikuan pa dëshirën e saj, duket se Rozi e ka marrë gjithçka me shumë sportivitet, ndonëse tek njëra nga fotot prentendon se nuk është origjinale por pak e tranformuar, gjë që ne nuk mund ta pohojmë, por që as këngëtarja nuk na jep një provë për këtë fakt, qoftë edhe duke na treguar versionin origjinal sipas saj, të asaj fotoje. Por ama, pranon që fotot nuk ishin montazhe, por të vërteta. Por a ka ndryshuar diçka në jetën e Rozit mbasi ajo u bë femra e parë VIP që paraqitet publikisht e zhveshur, çfarë perceptimi kanë pasur miqtë dhe kolegët e saj për ato foto, por edhe fansat e saj… Ndërkohë që po zhvillonim këtë intervitë në një bar në qendër të kryeqytetit, një fanse i afrohet Rozit dhe e komplimenton si për të vërtetuar që jo vetëm Rozi, por edhe ata që e admirojnë nuk kanë ndryshuar mendim për të pas fotove. Nuk kanë ndryshuar mendim as menaxherët e lokaleve, të cilët e telefonojnë pa fund për koncerte brenda dhe jashtë vendit dhe kjo tregon se shkalla e emancipimit e shoqërisë sonë ose ndoshta edhe e indiferencës ndaj fotove të tilla, është më e lartë nga ç’mund ta mendojmë. Për të mësuar më shumë mbi disa detaje të atij seti fotografish që publikuam një javë më parë, ja çfarë na rrëfen Rozana.
Rozi, një javë më parë “Panorama plus” publikoi disa foto të tuat e zhveshur. Si reagove kur i pe?
Rozana, si Alba Parieti
Në fakt, unë mësova se ju kishit disa foto të miat, disa ditë para publikimit të tyre dhe mendoja se do të ishin thjesht disa montazhe të përgatitura nga ndonjë dorë e stërvitur për këto punë, por kur i pashë, u binda se ishin të miat. Si reagova? Nuk u mërzita aspak, por thjesht më erdhi keq që në tekst ishte shkruar se ato foto jua kishte sjellë një miku im me të cilin bëmë pushimet vjet, gjë që nuk është e vërtetë. Ato foto, mua më janë vjedhur diku, por nuk kam ide se ku, sepse jam shumë e ngarkuar me punë dhe nuk arrij të kthjellohem ekzaktësisht se si mund të ketë ndodhur. Mendoj që në këtë punë ka gisht Rezarta Shkurta, me të cilën kemi një çështje të hapur në Prokurori.
Ku e bazon këtë akuzë, meqë ato foto nuk kanë ardhur në redaksi prej saj?
E kam bindje, sepse pak muaj më parë bashkëshorti i saj ka biseduar me mikun tim Sinan Hoxhën, ku i tregonte se kishte disa foto të miat skandaloze të cilat do t’i publikonte, nëse unë nuk tërhiqja denoncimin për të. Unë nuk e mora seriozisht punën e fotove, meqë e di se ajo e përdor shumë mirë fotoshopin.
U bëmë kurioz për vendin ku ke pozuar e zhveshur, ku ka qenë ai vend ku mund të bëje plazh pa rroba banjo?
Është një vend që jo të gjithë kanë fatin të pushojnë, mbase 800 mijë kilometra larg prej këtu, janë pushimet që bëra me miqtë e mi sapo dola nga “VIP shpija” dhe kur sapo kisha bërë gjoksin operacion.
Meqë je kaq e hapur me publikun, a mund të na rrëfesh cilët ishin miqtë me të cilët shfaqeshe në disa pozicione paksa intime në foto?
Ata ishin miq të mi shumë të mirë, por që nuk kam dëshirë t’jua them emrat për etikë.
Ndërkohë, ne dimë që ke edhe një të dashur, a ishte ai në ndonjërën prej atyre fotove që publikuam?
Jo, nuk ishte, në ato pushime kam qenë vetëm me miq.
A e ka ai problem kur ti pozon ashtu me djem që ti i quan miq?
Jo, sepse ai më njeh shumë mirë dhe nuk është xheloz për mua, madje ato pushime ishin dhuratë e tij për mua.
Meqë ke një lidhje të gjatë dashurie, mund të na rrëfesh se si ka ndryshuar jeta jote intime mbasi ke bërë gjoksin, çfarë të ka thënë i dashuri?
Dëgjo, ai është gjoks i bërë me xhel, jo me silikon dhe, si i tillë, duket shumë natyral. Sa për të dashurin, mendoj që një lidhje nuk e var fatin e saj nga një gjoks i bërë ose jo. Unë thjesht kisha një dëshirë dhe e plotësova, duke i bërë vetes dhuratë gjoksin që ëndërroja.
Si reaguan miq dhe dashamirësit e tu pasi panë fotot e tua tek “Panorama”?
Vajzat po më pyesnin se ku e kam bërë gjoksin se u kishte pëlqyer shumë.
Pra, në këtë rast i bëtë reklamë edhe doktorit, jua dhe numrin?
Jo, nuk iu dhashë se jam xheloze, nuk dua që edhe ato të bëjnë një gjoks kaq të bukur si timin (qesh).
A do të ndryshojë diçka në “komportimin” tënd publik tani që ne e pamë të gjithë trupin tënd?
Të them të drejtën, në një farë mënyre më keni bërë nder, sepse vetë nuk do kisha guxuar të publikoja foto të tilla, ndërsa tani po planifikoj të bëj një set fotosh nudo për ndonjë kopertinë reviste. Prisni suprizat e mia, pra! Tani njerëzit më panë, kështu që m’u hap rruga për të vazhduar më tej.
Nëse do të publikonim të tjera foto të tuat, do të të vinte keq?
Personi që i bën këto punë ka një mllef aq të madh, sa ka për borxh të shesë edhe shpirtin për të më bërë keq. Mendoj se më e keqja kaloi, veç nëse ka vendosur të më bëjë ndonjë atentat. E rëndësishme është që mua njerëzit më duan dhe e dinë mirë se brenda atij trupi lakuriq që ju patë të gjithë, fshihet një zemër e pastër.
Ndërrojmë temë, si do jetë vera për ty?
Super e ngarkuar me koncerte, ndërkohë që po bëj dy këngë. Njëra sapo ka përfunduar, një kompozim i Adrian Hilës me titull “Më puth prapë”. Jam duke i përgatitur një klip shumë sensual. Pastaj kam filluar të mendoj për këngën tek festivali “Kënga Magjike”, po punoj për një monodramë, ndërkohë që kam shkruar tekste pa fund për kolegët e mi.
Sa është fatura e koncerteve të verës për ty?
Është një shumë e konsiderueshme, po të kemi parasysh që unë këndoj nga e mërkura deri të dielën gjatë sezonit të verës. Them se me ato para jetohet rehat pa bërë asgjë për gjithë pjesën tjetër të vitit.
Rozana preferon që të kujtojë një thënie të show girl-it italan Alba Parietti, teksa e pyesim për perceptimin që mund të ketë pasur publiku për fotot e saj të zhveshura. Ajo thotë: “Kur e pyetën Parietin se si mund të ndihen njerëzit kur e shohin në foto nudo, ajo u përgjigj: Kur fëmijët shohin një film horror, prindërit për t’iu hequr frikën u thonë mos u frikëso, sepse janë skena false. Ndërsa kur njerëzit shohin gjoksin tim, unë u them, mos u frikësoni se nuk janë të vërteta, janë false.“
Si reaguan miqtë e Rozit për fotot
Soni Malaj: “Nuk u shtanga aspak sepse ke një dekolte shumë të bukur”.
Sinan Hoxha: “Duhet t’ju thuash faleminderit. Të kanë bërë reklamë.”
Erjon Korini: “Pse e shikoni? Ju duket diçka e keqe? Ju mendoni se jeni më të mirë? Ka njerëz që shtiren dhe fshihen, ndërsa Rozi nuk e ka këtë problem. Secili ka të drejtë të bëjë ç’të dojë me jetën e tij deri në momentin që nuk i bën keq askujt. Komentet e këqija që shoh tek fotot vijnë nga njerëz që akoma nuk e kanë kaluar kufirin e Shqipërisë. Një gjoks i zhveshur është gjëja më normale në plazhet e botës”.