www.Zemra.Org

Google teston automjetet pa vozitës

Gjiganti i internetit, kompania Google ka raportuar se ka zhvilluar automjete të cilat nëpër trafik udhëheqin “vetvetiu”, si dhe se këto automjete i ka testuar nëpër rrugët e Californias muaj me radhë. Ani pse duket se projekti është i pazakontë për Google, ai do të mund të ishte trefish i dobishëm, shkruan portali teknologjik Mashable.

Megjithëse i tërë projekti tingëllon si një film fantastik-shkencor, Google këtë e ka bërë atë realitet, e gjatë testimeve ka ndodhur një incident i vetëm. Një automjet pa vozitës ka goditur një automjet me vozitës.

Gjatë testimeve automjetet kanë kaluar 225.000 kilometra nëpër rrugët kaliforniane, nga Sillicon Valley deri tek Santa Monica. Në secilin automjet ka qenë “vozitësi”, i cili në çdo moment ka qenë i gatshëm të marr përsipër kontrollin ose frenoj, nëse do të ndodhte ndonjë gjë e paparashikuar. Në ulësen e bashkë-vozitësit ka qenë i ulur inxhinieri, i cili ka përcjellë punën e softuerit në kompjuter.

Sipas gazetës amerikane New York Times, Google ka punësuar inxhinierë të cilët më herët kanë marrë pjesë në garat e automjeteve të automatizuara.

Google pohon se njëra prej qëllimeve kryesore të projektit është siguria. Në kompani vlerësojnë se integrimi i kësaj teknologjie do të zvogëlojë vdekjet në aksidentet e trafikut për 50 për qind, sepse konsideron që në kushte të caktuara kompjuterët vozisin më mirë se njerëzit.

Pos kësaj, ata vlerësojnë se automjetet e tilla do të mund të ishin më afër njëra-tjetrës, që do të zvogëlonte lëmshin e krijuar në trafik nga automjetet, gjersa do të ulte edhe shpenzimin e karburanteve, me anë të kontrollit më të mirë të gazit.

Megjithatë, përparësia më e madhe për Google do të duhej të ishte koha, të cilën vozitësi në vend që të voziste do të kalonte duke luajtur, punuar apo shfrytëzuar internet.

Prognozat më optimiste parashikojnë se automjetet e këtilla do të mund të gjendeshin nëpër rrugë vetëm pas tetë vjetësh.

Exit mobile version