www.Zemra.Org

Gostivar, arrestohen tre persona për posedim të drogës

Prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike në Gostivar dha urdhër për realizimin e procedurës hetimore për tre lëndë të veçanta të formuara kundër personave të cilëve gjatë kryerjes së kontrollit u është gjetur drogë – marijuanë. Personat janë të dyshuar se kanë kryer vepër penale – Prodhim i paautorizuar dhe lëshim në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve nga neni 215 i paragrafit 1 i Kodit Penal.

Nga PTHP-ja deklaruan se tek njëri prej të dyshuarve është gjetur marijuanë me peshë prej 400 gramë të cilën e ka fshehur në shtëpinë e familjarit të tij. I dyshuari është shtetas i Republikës së Serbisë, prej ku ka kaluar në shtetin tonë dhe nga viti 2013 këtu qëndron ilegalisht. Për të dyshuarin organet serbe kanë shpallur urdhërarrest ndërkombëtar për kryerjen e veprave të tjera penale.

Personit të dytë, banor i Gostivarit, i janë gjetur 10 gramë drogë – marijuanë. Në lëndën e tretë, i dyshuari i cili është banor i një fshati të Kërçovës, në shtëpinë e tij i ka fshehur 29 gramë marijuanë dhe 39 fara të materieve bimore me origjinë të panjohur. Prokurori publik dha urdhër për ekspertizë të materialit të gjetur.

Prokuroria Themelore Publike në Gostivar deri te gjykatësi i procedurës paraprake për të tre të dyshuarit kërkoi shqiptimin e masës së paraburgimit. Gjykatësi i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Gostivar i pranoi propozimet ehe të dyshuarve u caktoi masë paraburgimi prej 30 ditësh.

Exit mobile version