Mesazhe të ashpra dhe ekstreme i ka dërguar kryeministri Nikolal Gruevski partnerit të tij të koalicionit, Ali Ahmetit. Para të rinjve të VMRO DPMNE-së ai ka porositur Ahmetin se nuk ka shans që ata që vranë branitellat të kenë status të njëjtë me ta.
Bllokimet e ligjit në Parlament, Gruevski i ka cilësuar si të pakuptimta. Gruevski shkoi edhe më tej duke thënë se është i gatshëm të paguaj çfarëdo çmimi për siç u shpreh ai, mbrojtjen e dinjitetit të maqedonasve duke përsëritur kështu deklaratën e tij të dhënë në fillim të krizës politike me partnerin e koalicionit.
Gjithë këtë fjalim bombastik ai e bëri përmes shumë brohoritjeve të VMRO-stëve, të cilët sa herë që Gruevski deklaronte se nuk do të lëshojë pe, duartrokisni në mënyrë frenetike.
“VMRO DPMNE nuk është parti që lejon që dikush ta frikësoje dhe shantazhojë me largim nga pushteti ose me zgjedhje të parakohshme kur është në pyetje suksesi dhe dinjitetit i qytetarëve maqedonas.
Ne jemi të gatshëm për gjithçka! Nuk e përkuli kokën para padrejtësisë, pavarësisht se sa një gjë e tillë është kundërproduktive për mua. E kuptoj se jeta e politikanëve është e lidhur me kompromiset prandaj edhe kam bërë kompromise dhe do të bëj edhe shumë të tjerë, kur do të besoj se është në të mirë të të gjithëve. Por, kuptohet gjithçka ka kufirin dhe masën e vet.
Kam paguar dhe do të paguaj për ato kompromise. Mirëpo, nuk jam në gjendje ta investoj dinjitetin e një populli të tërë që dikush ta nënçmojë e unë të heshti. Sidomos nuk jam në gjendje ta bëj një gjë të tillë kur e di se nuk do të zgjidh ndonjë problem, por do të gjenerojë të ri “, ka deklaruar Gruevski.
Numri një Qeverisë para bashkë-partiakëve të tij, kritikoi ashpër edhe partitë shqiptare për qasjen siç tha joserioze ndaj çështjeve me karakter shtetëror duke aluduar në propozim ligjin e branitellave.
“Plagët e vitit 2001 ende nuk janë shëruar dhe insistimi që në këtë ligj të bashkëngjiten edhe ata që ua morë jetët branitellave nuk është kërkesë reale. Kjo kërkesë e përkeqëson atmosferën e përgjithshme dhe është jokorrekte sikurse ishte rasti me keqpërdorin e uniformës së ARM-së në Sllupcan dhe një gjë e tillë është e papranueshme. Prandaj bëj apel për pjekuri më të madhe politike për këtë çështje.
Sidomos më brengos fakti se lufta politike te partitë politike shqiptare pas 21 vjetësh të pavarësisë ende zhvillohet vetëmse për çështjet etnike. Kjo atmosferë është ngjitëse dhe e rrezikshme. Prandaj bëj apel për pjekuri politike dhe shtetërore. Nëse ky shtet është i të gjithëve atëherë të gjithë duhet të kujdesemi për gjithë shtetit dhe jo vetëm për disa pjesë të caktuara të tij. Kjo nuk na shpie në rrugë të drejtë”, ka thënë kryeministri Nikolla Gruevski.
Paraqitja revanshiste e Grueskit, nuk përfundoi me kaq. Ai përsërit edhe një herë se nuk do të lejojë të keqpërdoret uniforma e ARM-së sikurse ndodhi rasti me Sllupçanin. Ndërsa foli edhe për ndryshimin e emrave të shkollave në Çair. Këtë veprim ai barazoi me provokimin dhe ofendimin që iu bë shqiptarëve dhe myslimanëve në Karnavalin e Vevçanit.
” Siç ishin për t’u gjykuar veprimet që erdhën nga disa individë në Karnavalin e Vevçanit, ashtu janë për t’u gjykuar edhe keqpërdorimet e uniformës së ARM-së, ndryshimi i paligjshëm i emrave të shkollave dhe heqja e busteve të shkollave…..”, ka përfunduar mesazhet drejtuar BDI-së dhe shqiptarëve kryeministri Nikolla Gruevski.