Në fjalimin e tij, lideri i PPD-së Sefedin Haruni potencoi se fuqizimi dhe rikthimi i fuqisë politike i PPD-së në skenën politike shqiptare në Maqedoni, do t’i jep fund nënshtrimit, padrejtësive, anashkalimit dhe defaktorizimit të faktorit politik shqiptar, që tashmë është bërë traditë në raport me partitë politike maqedonase.
“Jemi mbledh këtu sonte për të dhënë mesazhin e fuqishëm për ringtritjen e PPD-së. PPD-ja është zëdhënësja e parë dhe motoja e saj është “shqiptarët janë popull”, pra janë popull dhe as bashkësi etnike as minoritet”, theksoi Haruni.
Nëse PPD-ja do të merr mbështetjen e popullit që të përfaqësohet në qeveri, Haruni theksoi se ndër prioritetet e saj do të jetë edhe themelimi i ministrisë për multikulturë, duke zëvendësuar kështu ministrinë aktuale të kulturës e cila reflekton vetëm kulturën maqedonase dhe si e tillë kultivon dhe financon vetëm pjesën maqedonase. Sipas tij, PPD do të krijon komisionet parlamentare për çështje të përdorimit dygjuhësor të gjuhës shqipe, barabartë me atë maqedonase si në hyrje tëë Gjevgjelisë ashtu dhe në dalje të Bllacës.
Kandidati për deputet i kësaj partie të diasporës në Amerikë, Tefik Abdullai si kandidat edhe i Këshillit Shqiptaro-amerikan, Tefik Abdullai, para të pranishmëve potencoi se: “platforma politike e PPD-së dhe ajo e komunitetit shqiptarë në Amerikë, të cilat fillet e saja i ka që nga koha e Nolit dhe Konicës, ka peshë dhe është shtegu i vetëm për tejkalimin e problemit dhe zgjidhjen e çështjes shqiptarë, qoftë këtu në Maqedoni, qoftë edhe të diasporës shqiptare.
Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i parë i PPD-së, Nevzat Halili, i cili në rolin e kryetarit të Republikës së Iliridës, dha mbështetje politike për PPD-në në këto zgjedhje, njëherësh kumtoi se edhe kjo parti, mbështet dhe qëndron pas institucioneve të krijuara të Republikës së Iliridës.