www.Zemra.Org

Hoxha kërkon Parlament shqiptar në Maqedoni

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Kombëtare, Xhezair Shaqiri- Komandant Hoxha paralajmëron themelimin e një subjekti politik, që do të quhet: Lëvizja popullore për Shqipërinë e shqiptarëve të Maqedonisë .

Ish deputeti Hoxha thotë se, shqiptarët e Maqedonisë aktualisht janë në pozitën më të mjerë se kurdoqoftë më parë, prandaj nevojitet një zgjidhje e patjetërsueshme dhe sa më e shpejtë për dalje nga kjo krizë.

“Duke e vërejtur këtë gjendje të mjerueshme, me gjithë bagazhin tim, qëndrimet e mia, sinqeritetin, sakrificën dhe punën e deritanishme në kauzën kombëtare shqiptare, iu bashkangajitem ideatorëve tjerë kombëtarë në lëvizjet për përmirësimin e statusit të shqiptarëve të Maqedonisë”, deklaroi Hoxha.

Sipas tij, Shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të tolerojnë që edhe tutje të jenë nën kthetrat e sllavo-maqedonasve, të shfrytëzohen nga ata, të jenë vegla të tyre dhe të punojnë për interesat e tyre në dëm të popullit të vet.

“Shqiptarëve u nevojitet një Bashkim, një Lëvizje gjithë popullore shqiptare nga Maqedonia, e cila do t’i mbrojë interesat e popullit që po shkilen vazhdimisht. Shqiptarëve u nevojitet një Shqipëri e shqiptarëve të Maqedonisë. Ka disa muaj që kemi pasur kontakte të shumta me parti të ndryshme të shqiptarëve të Maqedonisë, intelektualë dhe shoqata joqeveritare, me të cilat kemi rënë dakord që të formohet njëLlëvizje për bashkim, ku në platformën e saj do të parashihen gjitha kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë”, ka shtuar Xhezair Shaqiri- Komandant Hoxha .

Ai thotë se, së shpejti do të dilet me një Platformë që do t’iu ofrohet shqiptarëve të Maqedonisë, ku do të ftohet elektorati shqiptar të votojë për një parlament të shqiptarëve të Maqedonisë.

“Ne nuk na intereson rroga e parlamentin të Maqedonisë, por për t’i mbrojtur interesat shqiptare, ne do të formojmë një parlament të shiqptarëve të Maqedonisë në Shkup. Shqiptarët e Maqedonisë nuk ju intereson të hyjnë në NATO ose në BE pa i gëzuar të drejtat e tyre elementare në shtetin ku jetojnë.Marrëveshja e Ohrit nuk është përfunduar dhe ne konsiderojmë se Marrëveshja e Ohrit është varrosur nga LSDM, VMRO dhe aleatët e tyre shqiptarë. Andaj, nëse marrim mandatin e popullit, kjo lëvizje do ta kushtëzojë qeverinë e Maqedonisë që brenda një muaji të pregaditë një Marrëveshje të re shqiptare –maqedone”, është shprehu Hoxha.

Ai thotë se është i vetëdijshëm se maqedonasit nuk do ta pranojnë këtë veprim pasi nuk e kanë pranuar edhe deri më tani, por shton se do të vazhdojë me hapa të tjerë konkret duke formuar edhe institucione paralele të shqiptarëve të Maqedonisë.

“Gjëja e parë që do të kërkojmë nga taksa paguesit shqiptar do të jetë refuzimi i tatimit dhe kontributeve të tjera ndaj shtetit të Maqedonisë, pasi as përqindja më e vogël nuk investohet në dobi të shqiptarëve, përveç disa renovimeve të shkollave, disa metrave asfalt nëpër fshatra, etj. Me miliarda euro në vit të taksapaguesve shqiptarë, po ndërtohen kisha, manastire, përmednore dhe financohen projeket të ndryshme si Shkupi 2014. Këtyre projekteve anti shqiptare duhet t’iu vij fundi përgjithmonë. Maqedonia mund të ekzistojë vetëm si shtet dyetnik, si shtet i dy popujve shumicë, i maqedonasve etnik dhe shiptarëve”, thuhet më tutje në deklaratë.

Në deklaratën e tij ai thotë se, përkrahës dhe ideator të kësaj Lëvizje gjithë popullore shqiptare që pritet të promovohet së shpejti janë njerëz të dëshmuar në rrugën e tyre kombëtare shqiptare, si Bardhyl Mahmuti, unë (Xhezair Shaqiri), disa intelektual të përkushtuar që punojnë për kauzën shqiptare, shoqata joqeveritare etj.

“Në këtë projekt janë të ftuara të gjitha subjektet shqiptare të cilat deri tani nuk kanë mundur t’i lëvizin gjërat në favor të elektoratit shqiptar, apo nuk kanë dashur, duke pranuar rolin vasal e servil ndaj sllavomaqedonëve, e nëse nuk e përkrahin këtë lëvizje, kjo do dëshmojë mendësinë e tyre vasale ndaj maqedonasve, për çka ne do kërkojmë që elektorati shqiptar t’i dënojë ata. Deri më tani kemi pasur shumë parti politike, aq sa do ishin shumë edhe për një Kinë me 1.2 miliardë banorë, por asnjëra prej tyre nuk ka mundur ta realizojë programin e vet dhe ambiciet koletive të shqiptarëve të këtushëm.”, thuhet më tej në deklaratën e tij.

Kjo lëvizje është e bindur se ky veprim i yni do u jep fund planeve anti shqiptare të sllavo maqedonasve dhe do e qartësojë se ky shtet është i rrezikuar nga shpirtëngushtësia nacionaliste e qarqeve politike maqedonase e jo nga shqiptarët.

Exit mobile version