www.Zemra.Org

Hugh Hefner dhe lepurushet e tij

84 vjeç, 2 gra, 4 fëmijë dhe 2400 të dashura. Kjo është CV e Hugh Hefner, njeriu më i lakmuar nga meshkujt e gjithë botës, i cili ka qenë dhe është aktivist i të drejtave civile. Ja se çfarë tregon ai…

Në moshën 84-vjeçare Hugh Hefner bën një jetë përrallore, të paktën sipas fantazisë së shumë meshkujve. Nuk është vetëm çështja e numrit të grave (“më shumë se 2000 lidhje”, tregon) duke qenë se krijuesi i perandorisë “Playboy” ka qenë protagonist i shumë ndryshimeve sociale dhe zakoneve që kanë lënë gjurmë në epokën e revolucionit seksual, të të drejtave civile e të feminizmit. E pra, duhet parë dokumentari i Brigitte Berman, i dalë pak kohë më parë në SHBA: “Hugh Hefner: playboy, activist, rebel”. Në dy orë përshkruhet me detaje jeta dhe arritjet e pionierit të industrisë amerikane të seksit. Aty tregohet edhe për kontributin e Hefner-it në beteja si ajo për abortin, marrëdhëniet seksuale të mbrojtura, të drejtat e homoseksualëve, apo ajo kundër censurës së racizmit. “Një prej gjërave më të çuditshme është se njerëzit më akuzojnë se kam bërë një jetë imorale. Nga pikëpamja ime është krejtësisht e kundërta. Kam jetuar një jetë të moralshme: unë gjithmonë kam qenë nga ana e engjëjve”, thotë Hef (kështu thirret nga të gjithë). Engjëjt që të vijnë në mend kur flet për të, janë engjëjt gjysmë nudo të lepurusheve të tij apo ato të sfilatave të “Victoria’s Secret”. E megjithatë Hef tregon se nuk e ka mbështetur kurrë idenë e grave-objekt, sepse ai gjithmonë ka luftuar për lirinë e tyre. “Është budallallëk të mendosh se ‘Playboy’ i transformoi vajzat në objekte seksi. Sigurisht që gratë janë sensuale dhe seksuale, sepse nëse nuk do të ishin kështu njerëzit nuk do të kishin lindur pasardhës. Tërheqja mes sekseve është ajo që rrotullon botën. Ndoshta për këtë arsye femrat veshin minifunde dhe lyhen me buzëkuq”, vazhdon duke buzëqeshur. I lindur në Çikago në vitin 1926, Hugh Marston Hefner vjen nga një familje edukatorësh metodistë (“Nuk kishte shumë përqafime dhe ngrohtësi në familjen time”, tregon duke justifikuar tërheqjen e tij për gratë e ngrohta dhe me gjoks të madh). Hef u diplomua për psikologji në Illinois në vitin 1949. Më pas nisi studimet master në Northwestern University, që thuajse i ndërpreu menjëherë për t’u martuar me Mildred Williams. Martesa e tyre zgjati dhjetë vjet dhe prej saj lindën dy fëmijë: një vajzë Christie (që do të bëhet presidente e ‘Playboy Enterprises’) dhe një djalë, David (për të cilin dihet shumë pak, mes të tjerash që merret me programim kompjuterik dhe që është gej). Mildred një ditë i rrëfeu për një tradhti që ajo kishte bërë në kohën kur ai ishte ushtar. Të dy vendosën t’i jepnin fund martesës. Në vitin ’53 Hef prezantoi revistën “Esquire”, ku punoi si redaktor. Aty nisi edhe përpjekjet e para për të themeluar një gazetë që do u dedikohej vetëm meshkujve. “Në fillim e quajta ‘Stag Party’, por më vonë mendova se ‘Playboy’ ishte një emër më argëtues, që shumë shpejt u shndërrua në simbolin e revistës”. Për të blerë fotot e kalendarit të parë nudo të një biondine të panjohur dhe për ta vendosur në faqen kryesore, Hef mori lekë borxh nga miqtë dhe të afërmit. “Mamaja ime nuk e aprovonte përmbajtjen e revistës, por ishte pro dëshirës sime që të ecja para në fushën e medias”. Me 1000 dollarët që mblodhi, Hef bleu të drejtat e fotot dhe e publikoi. Ishte dhjetori i vitit 1953 dhe fillimi i një suksesi të ethshëm. Brenda 1 viti “Playboy” arriti në tirazhin e 1 milion kopjeve në muaj, numër që u rrit vazhdimisht deri në shifrën 7 milionë në vitin 1972. Intervistat e famshme të “Playboy” janë ndër të parat që tregojnë për Miles Davis, Martin Luther King Jr., Malcolm X dhe Jim Brown, e vazhdojnë të jenë ende sot avangarda e gazetarisë amerikane. Nuk ka muaj që njerëzit mos të komentojnë intervistat që nxjerr “Playboy”, pavarësisht nëse bëhet fjalë për Presidentin Jimmy Carter (që rrëfeu përmbajtjen erotike të ëndrrave të tij), apo për këngëtarin John Mayer (që tregoi prapaskenat e seksit me këngëtaren Jesicca Simpson). Edhe pse artikulli për të cilin Hefner është edhe sot krenar është një pjesë e shkruar nga Martin Luther King Jr. para se të vdiste (e kompletuar nga gruaja Coretta dhe i publikuar pas vdekjes). Brenda një kohe të shkurtër Hugh u bë ikonë e jetës luksoze, njeriu që gjithë meshkujt e botës e kanë zili, ai që flirton me lepurushet. Por shtypi i shkruar nuk i mjaftoi. Në vitin 1959 prezantoi programin e parë televiziv: “Playboy’s Penthouse”. Dhjetë vjet më vonë ishte radha e “Playboy After Dark”. Për të dyja shfaqjet hapi apartamentin e tij, ku përgatiste festa e ku ftonte njerëzit më të famshëm të momentit. Veçantia e programeve të tij ishte mungesa e censurës, pastaj ishte edhe fakti se Hef ftonte edhe diva dhe personazhe me ngjyrë, ndërsa televizionet i kishin akoma të ndara programet që i drejtoheshin audiencës së bardhë dhe asaj me ngjyrë. Por “Playboy Foundation”, i themeluar prej tij me kalimin e viteve, ka mbledhur fonde për të mbështetur beteja për abortin apo marrëdhëniet e mbrojtura seksuale. Gazeta e tij ishte e para që publikoi një artikull të Charles Beaumont, të refuzuar nga “Esquire”, me titullin “The Crooked Man”, ku kritikohet ashpër shoqëria homofobike. Vetë Hefner, në fund të luftës së Vietnamit dha avionin e tij privat “The Big Bunny”, për të transportuar jetimët vietnamezë në SHBA (në bord ishin disa lepurushe si ‘babysiter’). Më 26 prill të vitit 2010 dhuroi 900 000 dollarë për të mos lejuar heqjen e tabelës me mbishkrimin Hollivud në Los Anxhelos. Por le të kthehemi pas. Në vitin 1985, në moshën 59-vjeçare Hefner u shtrua në spital, për shkak të një goditje apopleksie. U shërua plotësisht dhe vendosi të ndryshojë stilin e jetesës. U martua me një nga lepurushet e tij Kimberley Conrad, me të cilën lindi dy djem Marston e Cooper. Por përkushtimi i tij ndaj monogamisë zgjati më pak se dhjetë vjet. Ndërsa Conrad dhe djemtë trashëguan një super vilë në Los Anxhelos, ai nisi të shoqërohej me vajza 5 gjashtë herë më të reja se vetja, madje të jetonte edhe me shtatë prej tyre në një shtëpi. “Duket e çuditshme të jetosh me shumë gra bashkë, por ju siguroj se ndonjëherë është më e vështirë të kesh një të vetme. Të shtata ishin më të “lehta” për t’u administruar se sa një grua e vetme. Më kanë akuzuar se i pëlqej shumë biondet, por në të vërtetë gruaja ime e parë dhe një prej të fejuarave të mia më të famshme, Barbi Benton, ishin brune. Kohët e fundit të gjitha janë bionde. Unë jam si Pikaso, që ka pasur periudha të kuqe dhe blu, kjo është periudha ime ‘bionde’”, rrëfen duke qeshur. Kjo duket më së miri edhe tek e dashura e tij e fundit, Crystal Harris, që betohet se është gruaja e fundit e jetës së tij. Po kush të beson Hef?

Exit mobile version