Në adresën elektronike të gazetës “Lajm” ka arritur email nga një ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, me të cilin ai pretendon se e sqaron skenarin se si është ekzekutuar komandanti legjendar Harun Aliu, me shokët e tij.
Në këtë email akuzohen funksionarë të lartë të BDI-së për involvim në vrasjen e Harun Aliut, mirëpo “Lajm” nuk do të publikojë emrat e tyre, për shkak se (ende) nuk posedojmë dëshmi materiale për diçka të tillë. Ish komandanti në fjalë (që na e ka dërguar emailin), thotë se informatat rreth asaj se si është ekzekutuar Harun Aliu me shokë, i ka marrë “nga protagonisti i vetëm i gjallë i kësaj ngjarje”, por emrin e tij nuk e ka përmendur. Ja si e përshkruan ai skenarin e likuidimit të Harun Aliut:
“Djemtë kanë qenë mysafir për pushim në shtëpinë e pa banuar të …. (përmendet emri i pronarit të shtëpisë) dhe tërë rrethimin e tyre e ka organizuar …. (përmendet emri i një funksionari të lartë të BDI-së), njeri i sigurimit të shtetit. Janë kapur dhe ekzekutuar prapa shtëpisë, janë futur në mikrobus dhe janë nxjerrë në rrugën Radushë – Nerasht gjoja se kanë shkëmbyen zjarr me forcat policore.
Ky është realiteti”, shkruan komandanti në fjalë, duke shtuar se për krejt skenarin ka qenë i njoftuar kreu partiak i BDI-së.