Florian Marku është një nga sportistët shqiptarë të momentit, pasi me triumfet e tij ka ngjallur kureshtje si brenda, edhe jashtë vendit, ku kryen edhe aktivitetin e tij si kikboksier. “Mbreti” shqiptar arriti të triumfonte të shtunën mbrëma, ndaj ukrainasit, Maks Prodan, duke i rrëmbyer kundërshtarit edhe titullin e kampionit të botës në IBF.
Marku, është kampion ndërkombëtar në stilin e tij dhe në mbi 45 ndeshje të zhvilluara në kikboks dhe 5 në kategorinë UFC, 28-vjeçari i lindur në Lushnjë, por i formuar si sportist në Greqi, nuk njeh asnjë humbje.
Marku momentalisht është i pamposhtur, teksa në 10 duele, ka arritur të fitojë 9 prej tyre, teksa 1 është mbyllur në barazim.
Shpirti i tij rebel dhe luftarak ka bërë që Florian Marku të provojë edhe burgun, ku tregon edhe historitë e ndryshme që ka përjetuar gjatë kësaj eksperience.
Disa kohë më parë Marku tregoi vështirësitë e karrierës së tij, dëmtimet e deri tek ëndrrat e së ardhmes. Por, për të gjithë ata që njohin vetëm këtë anë të medaljes, në këtë artikull po ju zbulojmë anën tjetër të medaljes, atë të romantikut të lumtur.
Nëse jeni kuriozë të dini më shumë rreth statusit të tij, ja ku po jua zbulojmë! Floriani është i martuar me një vajzë të panjohur në publik, që quhet Eirini Konomi, teksa së fundmi pret të bëhet edhe baba.
Floriani, 1.74 m i gjatë dhe me trupin gjithë muskuj, ka lindur në Lushnjë, por me origjinë është
nga Kosova.
“Nisur nga historia e familjes sime, di që gjyshi im është nga Kosova, por gjatë regjimit komunist ka qenë i internuar në Lushnjë, së bashku me shumë kosovarë të tjerë.
Këtu ka jetuar edhe babai im. Prandaj unë kam lindur në qytetin e Lushnjës. Pas viteve ’90, familja ime emigroi në Greqi, duke u vendosur në Selanik”,- ka treguar ai në një intervistë për “Panorama Sport”.
Sa i vështirë ka qenë fillimi i karrierës për të arritur te suksesi?
“Normalisht, që kam pasur shumë vështirësi. E kam nisur karrierën kur isha vetëm 11 vjeç, duke punuar shumë gjatë seancave stërvitore. Kam pasur shumë vështirësi, por ia kam dalë falë vullnetit e përkushtimit. Ky ka qenë vetëm fillimi, pasi ëndrrat e mia kanë qenë shumë të mëdha dhe mund të them se këto janë vetëm hapat e parë. Kam besimin në realizimin e një ëndrre të madhe dhe shumë të ndritur. Besoj shumë se do t’ia arrij që të dal kampion bote”.
Përveç sportit, ai është shumë i ndjekur në rrjetet sociale, pasi e shohin si model për formën fizike.
“Kjo formë vjen nga stërvitja e madhe që unë bëj. Asnjë gjë nuk vjen pa punë. Stërvitja intensive është thelbësore. Një kohë shumë të madhe ia kushtoj kësaj pjese. Bëj vrap çdo mëngjes, punoj me thesin “Sparing” dhe me trajnerin George Armagos, bëj shumë raunde “Pau”.
DETAJE NGA JETA PROBLEMATIKE E NJE KAMPIONI
E, natyrisht, suksesi kërkon sakrifica, ndaj jeta e Florian Markut është si në filma, pasi brenda tij ka ring, burk, medalje dhe dashur. Në lidhje me fillimet e karrierës, ai e rrëfen kështu jetën e tij:
“Fillimisht, karrierën e kam nisur në Greqi, në moshën 11 vjeçare dhe vështirësinë e madhe e kam pasur në moshën 18 vjeçare. Të them të drejtën, Greqia më ka përkrahur dhe nuk kam pasur probleme me prejardhjen apo kombësinë.
Me çdo kundërshtar, kur fitoj, ndjesia është shumë e madhe. Sigurisht që kur fitoj, reagimi i grekëve është normal, ndonëse disa prej tyre nuk u gëzohen fitoreve të mia.
Por, nuk kanë pasur se çfarë të thoshin. Isha më i miri në ring, kështu që asnjë nuk mundet të flasë të kundërtën”.
Je grindur me ndonjë në Greqi jashtë ringut dhe cilat kanë qenë arsyet që ke përfunduar në burg?
Si tip impulsiv, jam përfshirë gjithnjë në problemet që ka pasur shoqëria ime, kështu që nuk më kanë munguar sherret në Greqi. Nga sherret që bëja, kam përfunduar në burg. Pas një sherri që ndodhi në Greqi, kam qëndruar një vit e gjysmë në burg.
Burgun e kam bërë edhe në Austri, ku kam qenë në arrest për katër muaj dhe më pas më transferuan në Greqi, në burgun e Vjedhatas në Selanik, ku kreva pjesën e mbetur. Po ju tregoj rastin se si më arrestuan një ditë para ndeshjes.
Sapo shkova në shtëpi, në Linz, erdhën e më arrestuan. Të nesërmen, unë kisha ndeshjen, por Interpoli i Austrisë, në bashkëpunim me Interpolin grek, pas informacionit të marrë nga Greqia për vendndodhjen time, më arrestuan në Linz.
Më erdhi keq se isha në kulmin e karrierës. Nuk e prisja të më ndodhte kjo. Isha mjaft i njohur në Austri. Nuk më del nga mendja kur polici më tha: ‘Po ti çfarë bën këtu, unë kam prerë biletën për të parë ndeshjen?’. Kjo më kushtoi një vit e gjysmë jashtë ringut sa edhe fansat kujtuan se s’do rikthehesha”.
Po si ishte jeta e tij në burg?
“Atje brenda ke shumë kohë të rrish me veten tënde dhe të mendohesh thellë. Jam penduar për gabimet. Nga burgu unë mësova të kem më shumë durim e të mos grindem shpesh. Burgu në Linz të Austrisë ishte shumë i keq, pasi vetëm një orë ajrim kishim në ditë.
Prej gati dy muaj e gjysmë kam qenë i vetëm në një dhomë 3×3 metra. Edhe pse isha i vetëm, unë stërvitesha atje në burg, pavarësisht se nuk kisha mjete stërvitore.
Në burgun e Selanikut kalova më mirë, pasi kishte kushte edhe për stërvitje. Kohën e kaloja duke lexuar libra. Drita e diellit aty ishte më e pranishme”,- tregon ai.
Po cilat janë momentet më të bukura të karrierës së tij?
“Kam pasur shumë raste të bukura gjatë karrierës sime. Si momentin më të bukur kujtoj rastin kur mora rripin e parë botëror dhe kur fitova kundër një greku para 7 muajsh.
Ishte fitorja kundër Bitakut në Greqi, e cila ishte dhe një ndeshje me shumë rëndësi dhe ndër më të mëdhatë të zhvilluara në shtetin helen.
Gjatë dyluftimit me atë, unë theva gishtin, por nuk e lashë ndeshjen deri në fund, duke vazhduar me gishtin e thyer për të mos u dorëzuar. Më pas bëra operacion. Unë e kam për natyrë që nuk dorëzohem, dhe nuk e braktis luftën”.
Ndërsa për momentet e hidhura, ai thotë:
“Shyqyr Zotit, gjatë karrierës sime s’kam pasur të tilla momente e raste të hidhura. Jeta ime është si një film. MkGregor do të doja ta sfidoja një herë. Kundër tij e dëshiron çdo luftëtar i MMA-së dhe UFC-së!”.
Dhe le të ndalojmë te dashuria dhe jeta intime duke i bërë pyetjen: “A keni të dashur? Nëse po, a bëhet xheloze e dashura juaj kur largoheni për aktivitete?
“Po, jam i fejuar. xheloze… po, bëhet…(qesh). Por e marr gjithmonë me vete dhe, duke qenë pranë meje, largohet çdo xhelozi e saj”,- përfundon ai rrëfimin e tij.