www.Zemra.Org

Kjo është shqiptarja e parë oficere në ushtrinë e Zvicrës

Oficerja zvicerane me rrënjë shqiptare nga Kosova, Erleta Shala, 20 vjeçe, ëndërronte gjithmonë të bëhej një ditë ushtarake e aftë

Si e vogël kishte dëshirë të bartte uniformën ushtarake dhe këtë ëndërr e bëri realitet në moshën 20-vjeçare.

Oficerja e parë me origjinë shqiptare, Erleta Shala, vetëm me përkushtim të madh ka mundur të bëhet oficere në Ushtrinë e Zvicrës, dhe në këtë intervistë për albinfo.ch thotë se nuk është aspak lehtë për një femër të gradohet oficere në ushtrinë zvicerane.

offic

“Dëshira ime ka qenë edhe t’i falënderohem shtetit zviceran duke shërbyer në ushtrinë zvicerane”, thotë mes tjerash në këtë intervistë për albinfo.ch, Erleta Shala.

Çka do të thotë për ju si vajzë me origjinë shqiptare të shërbeni në ushtrinë zvicerane?

Erleta Shala: Në ushtrinë zvicerane nuk e shikojnë se çfarë origjine ke, sepse ti je shtetase zvicerane, nëse shërben për ushtrinë zvicerane. Por për mua do të thotë shumë, sepse kam dëshirë të shohin kontributin tonë për këtë vend që na ka ndihmuar në shumë aspekte.

A është e vështirë jeta e një ushtaraku në Zvicër? A munden të gjithë të ndjekin këtë rrugë?

Erleta Shala: Është e vështirë, sidomos për një femër. Sepse ke për të dhënë shumë nëse do ta fitosh respektin. Por mendimi im është se nuk ka lidhje se sa e vështirë është rruga, rëndësi ka të mos humbasësh besimin te vetja dhe të japësh gjithçka për qëllimin që e ke.

Pse ky interesim i Erletës për uniformën ushtarake?

Erleta Shala: Ka disa arsye. Njëra është sepse Zvicra ka bërë shumë për ne dhe e pyes veten disa herë se ku do të isha sot po të mos kishim pasur mbështetjen e shtetit zviceran. Prandaj dëshira ime ka qenë të falënderohem me shërbimin në ushtrinë zvicerane. Tjetra arsye është sepse si e vogël jam veshur dhe kam ëndërruar të jem ushtarake. Jam inspiruar dhe nga lufta e Kosovës, ku si fëmijë kam ndier vuajtjet e gjeneratës sime atje.

Si jeni graduar dhe çfarë pozicioni keni në ushtrinë zvicerane?

Erleta Shala: Unë jam graduar me titullin e oficeres, si Leutnant me 29.5.2015.

Sa është vështirë të gradoheni në pozicionet e larta në ushtrinë zvicerane? Si arrihet kjo?

Erleta Shala: Për t’u graduar në ushtrinë zvicerane normalisht duhet punë dhe disiplinë. Unë kam kaluar shumë sfida të mëdha prej ditës së parë kur kam filluar në korrik të vitit 2014. Për të arritur qëllimet në jetë duhet të kesh një qëllim të qartë dhe për mua ka qenë qëllimi të bëhem oficiere me çdo lloj çmimi dhe sakrifice që do të më dalë përpara. Sfida më e madhe ka qenë “java e mbijetesës” në shkollën e oficerëve. Me 5 orë gjumë gjithë javën dhe shumë pak për të ngrënë. Kemi qenë dy klasa. Kemi pasur çdo ditë gjëra praktike, njëra ka qenë 20 km me biçikletë, 4 km not dhe 10 km vrapim. Ditën e fundit ka qenë ecja prej rreth 60 km me peshë të rëndë në kurriz. Të gjithë thoshin: Erleta nuk mund ta bëjë këtë, të gjithë thoshin se për një femër është e pamundur me një ngarkesë të tillë një ecje prej 60 km, ndërsa unë e shihja vetën të fortë dhe këmbëngulëse që do ta bëj dhe kam forcë t’i dal në skaj. Gjatë rrugës ushtarët më lusnin që të ma merrnin peshën dhe të më ndihmonin, nuk kam pranuar në asnjë çast. Një ushtar shkoi te majori dhe i tha: “Znj. Shala është shumë kokëfortë, nuk pranon që t’i marrim pak nga pesha e saj e t’i ndihmojmë”. Ai ma ktheu mua: “Kështu e njohim znj. Shala”. Në fund arriti klasa ime 2 orë para klasës tjetër (që kishte vetëm meshkuj) dhe arrita ta sfidoja këtë provë ndër më të vështirat që kisha përjetuar.

Në mesin e të graduarve të fundit ka pak shqiptarë, si e arsyetoni këtë?

Erleta Shala: Në ushtrinë zvicerane ka dhe shqiptarë të tjerë që kanë arritur, për fat të keq shumë pak femra. Unë kam besimin te gjenerata e tretë e shqiptarëve që janë më të ndërgjegjësuar dhe kanë arritur të depërtojnë në të gjitha profesionet dhe janë duke treguar një shembull shumë të mirë.

A jeni oficerja e parë me origjinë shqiptare në ushtrinë zvicerane?

Erleta Shala: Si femër, po. Jam 100% e bindur.

A ka trajtim të njëjtë edhe për ushtarët shqiptarë apo të gjithë janë të barabartë?

Erleta Shala: Po e përsëris që në ushtrinë zvicerane janë të gjithë njëlloj, nuk kam hasur dhe as që më ka rënë në sy ndonjë trajtim tjetër i zviceranëve me rrënjë nga Kosova apo vende të tjera.

Çfarë specifika ka në ushtrinë zvicerane, a është vështirë të kryhen të gjitha detyrat ushtarake?

Erleta Shala: Disiplinë dhe rregulla, si në çdo ushtri tjetër. Ushtria zvicerane është shumë e përpiktë dhe e rregullt, me një disiplinë të fortë që duhet t’i zbatosh ose dënohesh.

(Erleta Shala është e lindur në Prizren (9 muajshe ka ardhur në Zvicër). E adhuron sportin, sidomos notin. Dëgjon muzikë rock. Qëllimi i saj në jetë: “Familjen ta kem të lumtur dhe shëndosh”.)

Exit mobile version