Siç mëson Alsat M, ata janë kushtëzuar që të heshtin, duke u premtuar se statusi i tyre do të rregullohet dhe do të arrijnë të punësohen në polici në ndonjë konkurs të ardhshëm. Edhe disa nga njohësit e rrethanave në polici, sot nuk deshën të prononcohen lidhur me këtë rast. Ndërkohë ka reaguar Lëvizja Qytetare Zgjohu e cila kërkon nga institucionet që të respektojnë parimin kushtetues për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.
“Lëvizja Qytetare ZGJOHU! shpreh mospajtimin e vet të thellë rreth mosrespektimit të parimit të përfaqësimit adekuat gjatë punësimeve të reja të realizuara nga ana e ministrive dhe institucioneve tjera shtetërore. Përkujtojmë se përfaqësimi adekuat është njëra nga kryeshtyllat e Marrëveshjes së Ohrit e cila është pjesë e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Rasti i fundit i mosrespektimit të përfaqësimit adekuat është konkursi i Ministrisë së Brendshme për policë të rinj”.
Zv/ministri i Punëve të Brendshme Zimri Qamili fajësoi dje drejtpërdrejtë kandidatët shqiptarë si fajtorë për dështimin në testin fizik dhe mos plotësimin e kushteve për punësim në polici. Me përjashtimin e 20 kandidatëve shqiptarë ulet ndjeshëm edhe përqindja e shqiptarëve në këtë konkurs nën 20 për qind. Në Ministrinë e Brendshme, sipas të dhënave të vitit 2012, shqiptarët janë të përfaqësuar me 17,8%, larg 25 përqindëshit të garantuar me kushtetutë.