“Si ka mundësi të vihet gurthemel mbi një vend ku është kryer vrasje, çfarë ahengu mund të ketë mbi gjak?!”, thotë për Almakos Bedri Ajdari…
Në vendin e a.q “Smillkovsko Ezero”, ku më 12 prill 2012 ndodhi vrasja e 4 të rinjve dhe një peshkatari të moshuar, ka filluar të ndërtohet qendër rekreativo-sportive. Ky akt ka ndikuar që familjarët e të akuzuarve për vrasjen e pesëfishtë edhe më tepër t’i thellojnë dyshimet e tyre. Dyshimi i tyre ishte se qëllimi i autoriteteve ishte toka, prona e familjes së Fejzi Azirit dhe jo “radikalizmi islam”.
“Fillimi i punimeve të qendrës rekreativo- sportive tregon se qëllimin ishte të na merret prona, të cilën vëllau Fejzi Aziri e posedonte në mënyrë legale (me qira nga shteti) me afat 30 vjeçar” thotë për “Lajm” Bedri Ajdari.
“Ajo që ne si familjar rastin e pamë si të dyshimtë dhe gjatë gjithë kohës e potencuam gjithandej, por edhe në protesta, sot po dëshmohet nga vet “Institucionet” zyrtare shtetërore. Duke e injoruar faktin në këtë mënyrë “shteti i Maqedonisë po e vret vetëvetën me këtë projekt”, njëkohësisht po e dëshmon qëllimin e errët që ka pasur për arrestimin, përdhosjen dhe poshtërimin e shqiptarëve kombëtarisht dhe fetarisht, nën pretekstin e “Radikalizmit Islam”!- thotë Ajdari.
Ai sqaron për “Lajm” se autoritetet kishin problem me tokën e tyre dhe jo me familjarët. Nuk kishin për qëllimin radikalizmin, por largimin e shqiptarëve nga këto troje.
“Të jeni të bindur se nuk do të zbulohej dhe nuk do ta bënin nje hap të tillë asnjëherë por “ai që ka paguar për spastrimin e terenit” u kërkon llogari. Konflikti i interesit i ka pru para aktit të kryer dhe tani kanë vepruar pa llogaritur se ku do vijnë punët.
Sidoqoftë ne si familje e pësuam dhe po e vuajm denimin e porositur, po e paguajmë haraçin e të qenit shqiptar në Maqedoni por…nuk do ta ulim kokën si “fajtorë” e nëse duhet ta ulë kokën dikush, ata janë ato që u besuan qorrazi pallavrave të “institucioneve” shtetërore, ku ditëve të fundit jemi dëshmitarë të publikimeve se si kanë funksionu këto institucione, që dhashte Zoti të jenë të ndjera…” thotë Ajdari.