Niveli i korrupsionit në Maqedoni edhe pse është vlerësuar si më i ulëti në Evropën Juglindore, sipas një studimi të Kombeve të Bashkuara, mendohet të jetë më i shtrenjtë në rajon. Niveli i korrupsionit në Maqedoni sipas këtij hulumtimi është 6,2 për qind, por qytetarët e këtij vendi paguajnë për korrupsion një mijë e 212 euro brenda vitit. Në bazë të këtij hulumtimi, mjekët janë më të korruptuarit në rajon. Mbi 57 për qind e të anketuarve kanë theksuar se kanë korruptuar një mjekë për shërbime të caktuara mjekësore. Në vendin e dytë për më të korruptuarit janë policët. Listën e vendeve më të korruptuara në Evropën Juglindore e kryeson Bosnjë-Hercegovina, me 20,7 për qind. Nga konkluzat e OKB-së që ka nxjerrë pas këtij raporti thuhet se cdo i gjashti qytetarë në Evropën Juglindore është i përfshirë apo viktimë e mitmarrjes dhe korrupsionit. Tek 45 për qind e rasteve drejtpërdrejt qytetarëve i është kërkuar mitmarrje, për shërbimet e kryera. Në fund të raportit të OKB-së citohet një deklaratë e evrokomisionerit për zgjerim, Shtefan Fule, i cili vlerëson se KE me kujdes po ndjekë problemin e korrupsionit, për shkak se kjo dukuri është matësi kryesor për vlerësimin e një vendi se a plotëson kushtet për të fituar statusin e kandidatit në BE.