www.Zemra.Org

Maturante e shtatzëna

Drejtorët e shkollave të mesme, pos problemeve me maturën, thonë se këtë fundvit u është shtuar edhe një shqetësim: halli me nxënëset shtatzëna, të cilat për shkak të mungesave kanë mbetur pa u notuar.
Sipas burimeve të ditores “Zëri”, në pesë shkolla të mesme të Ferizajt, së paku 14 nxënëse – për shkak të lindjes së fëmijëve -i kanë ndërprerë mësimet gjatë vitit. Ndërsa, numri i “nxënëseve nuse” është me dhjetëra.

Prindërit këmbëngulin që vajzave t’u mundësohet provimi i klasës, notimi dhe marrja e diplomave. Arsyetimi i tyre është se mungesat kanë ndodhur për shkaqe shëndetësore!

Shkolla më e prekur nga “nxënëset shtatzëna” mësohet të jetë ajo e mjekësisë, “Elena Gjika”, shkollë kjo profesionale, ku zakonisht nuk ka “provime klase” në fund të vitit. Drejtori Adem Musliu shpjegon se dy nxënëse të klasës së XIII janë detyruar ta ndërpresin mësimin, meqë ndërkohë kanë lindur fëmijë. Ndërsa, shtatë të tjera “ballafaqohen me probleme shëndetësore”, pa specifikuar me dokumentacion se për çfarë problemesh është fjala.

Në shkollën e mesme të bujqësisë, një nxënëse ka ndërprerë mësimin gjatë gjysmëvjetorit të parë. Ndërsa, në shkollën ekonomike “Faik Konica”, për shkak të shtatzënësie një nxënëse ka ndërprerë mësimin gjatë muajit prill, një tjetër në fillim të majit. Ato nuk janë notuar për shkak të mungesave në procesin e rregullt mësimor. Për to duhet të vendosin organet më të larta.

Shemsi Heda, drejtor i gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”, bëri të ditur se një nxënëse në këtë shkollë është shtatzënë, por ajo ka arritur të përfundojë pa mungesa vitin e të notohet në të gjitha lëndët. Sipas tij dhe drejtorëve tjerë të gjitha nxënëset e panotuara duhet ta përsërisin klasën, meqë shtatzënësia nuk është sëmundje.

Megjithatë, rregulloret në fuqi nuk e sqarojnë mirë këtë çështje. Prandaj, këtë problematikë ata e kanë adresuar për zgjidhje tek institucionet më të larta të arsimit: në komunë dhe në MASHT.

Sadije Hajdini, përgjegjëse e DKA-së për shkollat e mesme, thekson se në bashkëpunim me inspektorët përgjegjës e kanë trajtuar këtë çështje, përderisa presin një përgjigje nga MASHT-i: për t’ua mundësuar provimet e klasës nxënëseve që kanë vijuar tri të katërtat e vitit shkollor, ndërsa mungesat i kanë arsyetuar për “shkaqe shëndetësore”.

Hajdini tha se pret një përgjigje pozitive edhe nga MASHT-i, sepse përfundimi i vitit shkollor për këto nxënëse është interes i të gjithëve.

Exit mobile version