www.Zemra.Org

Menduh Thaçi gjatë luftës bashkëpunonte me Ljube Boshkovskin?!

Partneriteti strategjik mes VMRO DPMEsë dhe liderit të PDSHsë Menduh Thaçi nuk është gjë e re, dhe kjo është e njohur për opinionin në Maqedoni. Por ajo që e dinë vetëm pak persona, është bashkëpunimi i përkryer i dy partive madje edhe gjatë konfliktit të vitit 2001. Një shkrim i gazetës së përditshme në gjuhën maqedonase “Vest” i muajit maj të vitit 2001, sjell një storje interesante të asaj kohe, me protagonistë kryesorë pikërisht kryetarin e PDSHsë Menduh Thaçi dhe vëllain e tij Gafur Thaçi.

Sipas shkrimeve të gazetës, gjatë një kontrolli të policisë rrugore, në veturën e vëllaut të Menduhit, Gafur Thaçit është gjetur një pistoletë e tipit “Makarov”, në posedim pa leje për armëmbajtje. Gafurit i është marrë pistoleta dhe është dërguar në Stacionin policor Gjorçe Petrov, pa qenë në dijeni për identitetin e tij. Pas intervenimit të Menduh Thaçit, siç shkruan Vest, pistoleta i është kthyer pronarit personalisht nga Ljube Boshkovski, në një kafene në afërsi të Shkupit, edhe pse dyshohej se me të njëjtën pistoletë ishin kryer disa vepra penale, mes tyre edhe vrasje, sipas burimit të gazetës Vest.

Bashkëpunëtori i Thaçit në këtë rast, Ljube Boshkovski, ishte i dyshuari kryesor për vrasjen e shumë shqiptarëve të pafajshëm në konfliktin e vitit 2001, për çka kishte edhe proces gjyqësor kundër tij në Gjykatën e Hagës.

Partneriteti i vjetër mes Menduh Thaçit dhe VMROsë duket se vazhdon të mbijetojë edhe sot e kësaj dite, me infuzione të kohëpaskohshme të tipit “Sushiko”, që ndërlidhet me skandalin korruptiv “Interpromet”, për çka kanë shkruar shumë media ditëve të fundit. Pavarësisht ndërrimit të gjeneratave dhe liderëve në VMRO DPMNE, e vetmja gjë konstante si duket është partneriteti me Thaçin, duke pasur parasysh se PDSHja dy herë u bë pjesë e qeverisë pa fituar legjitimitetin e popullit. Herën e parë në krye të VMROsë ishtë Ljubço Georgievski, në periudhën 1998-2002, por më pas edhe nën udhëheqjen e Nikolla Gruevskit, në periudhën 2006-2008.

 

Exit mobile version