www.Zemra.Org

Në shtator PDSH hyn në Qeveri?

Burime të sigurta të portalit Almakos bëjnë të ditur se raportet e ftohura midis partnerëve të koalicionit aktual qeverisës, VMRO – DPMNE – BDI, që janë shfaqur tash së fundmi në opinion, kanë bazë më të hershme. Hendeku dhe dallimet konceptuale midis partnerëve të koalicionit kanë hapur mundësinë që Nikolla Gruevski ta rishqyrtojë bashkëqeverisjen me partinë e Ali Ahmetit.

Për më tepër, burime të Almakos të afërta me zhvillimet në Washington dhe Bruksel, pohojnë se futja e PDSH’së në qeveri do të ndihmojë në demokratizimin e proceseve në vend, pasi që aktualisht Bashkimi Demokratik për Integrim përpos qeverisjes në nivel qendror, si parti tashmë kontrollon edhe shumë komuna respektivisht pushtetin në nivel lokal, gjë që sipas tyre ngulfat funksionimin e mirëfilltë shtetëror si dhe është pengesë serioze për zbatimin e ligjit dhe rendit kushtetues në vend.

Kohë më parë, Komisoni Evropian (KE) edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) rekomandonin që politikanët në Maqedoni të respektojnë demokracinë koncesuale gjatë votimit të ligjeve dhe akteve në Parlament dhe komuna me qëllim të forcimit të bashkëjetesës duke u thirr kështu në parimin e rolit të Komitetit të Badenterit. Në vitin 2006 ishte pikërisht parimet e Badenterit ato që u shkelën kur VMRO – DPMNE zgjodhi që të qeveriste me partinë e dytë shqiptare për nga numri i votave.

Arsye tjetër, informojnë burimet tona, janë edhe aferat korruptive të disa zyrtarëve të lartë të kësaj partie, siç ishte rasti me aferën “Telekom”, si dhe mbajtja në pozita të larta shtetërore të emrave të njëjtë, për të cilët ekziston baza e dyshimeve se janë persona që lehtësisht kontrollohen nga qarqe të dyshimta.

Sa i përket kuadrove, një gjë të tillë si brengë tash së fundmi e shprehi edhe vetë kryeministri Nikolla Gruevski, i cili ka shfaqur dozën e tij të skepticizmit duke nënçmuar cilësinë e kuadrove që ofrojnë partitë shqiptare. E derisa fliste për poste dhe emërime, nënkuptohej se fjala ishte pikërisht për Bashkimin Demokratik për Integrim.

“Mendoj se liderët e partive politike shqiptare më tepër i kushtojnë vëmendje kuantitetit se sa kualitetit të posteve të kuadrove, të cilët më pas i emërojnë. Nuk them se nuk ka kuadro të mira në mesin e shqiptarëve. Ka. Por shpreh bindjen time se shumë më pak i kushtohet rëndësi kësaj çështjeje nga vet liderët dhe partitë”, ka thënë Gruevski, njofton Almakos.

Ndërkohë, në theks ka vënë edhe mosmarrëveshjet me partnerin e koalicionit qeverisës, partinë e Ali Ahmetit.

“Kemi mosmarrëveshje. Për disa prej tyre gjejmë zgjidhje, për disa ende jo. Marrëdhëniet me BDI-në nuk janë të njëjta sikurse në mandatin e parë. Në mandatin e tyre janë përkeqësuar, por ende janë në nivel të durueshëm. Derisa kemi një trend të rritjes së standardeve në të gjithë sfera, koalicioni mbetet i logjikshëm”, ka theksuar Gruevski.

Para pak kohe portali Almakos solli edhe foton ku lideri i PDSH’së, Menduh Thaçi dhe drejtori i Zyrës për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijalkov shtrëngonin duart përzemërsisht si dy miq të vjetër, me njëri tjetrin. Dëshmi kjo që “akulli” midis tyre po shkrihej, ndërsa deklarimet e Thaçit se shërbimet sekrete e duan shkatërrimin e partisë së tij mund të mbesnin në të kaluarën.

Aktualisht, Bashkimi Demokratik për Integrim numëron 15 deputet në Parlamentin e Maqedonisë, ndërsa partia e Menduh Thaçit, 8 deputetë. Partia e Nikolla Gruevskit numëron 56 deputetë dhe bashkë me deputetët e PDSH’së ajo mund ta sjell një rikonfigurim të ri të Qeverisë me partnerin e ri.

Exit mobile version