“Nëntoka” e Shkupit aktivizohet para festave!
Përleshje me armë zjarri, vjedhje me maska e policë të lënduar, sulme të tifozëve “Komiti” dhe aksione policore kundër grupeve kriminale janë ngjarjet që shënuan javën e kaluar. Ish krye shefi i policisë, Lubomir Gjurçevski thotë se bosat e mafias janë ndarë në tre grupe. Sipas tij, këta që ushtrojnë veprimtarinë kriminale si reket, trafikim narkotikësh, armësh dhe njerëzish janë pjesë e klaneve të Frankfurtit, Çekisë dhe Cyrihut, ku nga kjo e fundit të lidhur ngushtë me pushtetin.
Gjithashtu këtu duhet ta cekim edhe klanin e Zvicrës, e cila për momentin është më e afërta me elitat politike në Maqedoni. Të gjitha konstatimet dëshmojnë se lidhja zvicerane është më e afërta me partinë politike BDI, sikurse grupe të caktuara kanë lidhje me ‘bosat’ e VMRO DPMNE-së si Sasho MIjallkov dhe disa të tjerë që ceken atje”-tha Lubomir Gjurçevski, ekspert i Sigurisë.
Eksperti i sigurisë thotë se këto akte shpeshtohen gjatë fund vitit, duke përmendur incidentin në Hotelin “Aleksandar Palace”, vjedhjen në mes të ditës në një market në lagjen Tophane, si dhe rrahjen e tre shqiptarëve nga tifo grupi “Komitët”. Për rastin e fundit, policia njoftoi se ka kapur autorët.
Dje në stacionin policorë të Kisella Vodës janë sjell dy persona të arrestuar nga Shkupi, S.L. 21 vjeç dhe D.M. 21 vjeç, pas dyshimit që të njëjtit më 15:10h tek Parku i Qytetit kanë sulmuar fizikisht tre shtetasit e Kosovës E.K. 24 vjeç, L.K. 19 vjeç dhe M.B. 18 vjeç. Prokuroria po merret me çështjen dhe pas dokumentimit të rastit do të shqiptohen masat përkatëse”-theksoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Në mëngjesin e së shtunës forca të shumta policore zbatuan edhe një aksion në disa lokacione në Shkup, duke arrestuar dhjetë anëtarë të mundshëm të grupeve kriminale që veprojnë në kryeqytet.
Kjo që neve na ndodh në shtet është për shkak të pandëshkueshmërisë, me nivel të lartë të krimit dhe korrupsionit në të gjitha institucionet e shtetit si në polici, prokurori dhe gjykatë. Kështu grupet e organizuara kriminale janë bërë më të fuqishme në sistem, duke ndikuar në politikë, përkatësisht, lidhjet e tyre me elitat politike të shtetit”-tha Lubomir Gjurçevski, ekspert i Sigurisë.
Të arrestuarit nga Gërçeci, Haraçina, Qendra, Vizbegu, Çento, etj. dyshohen për cenim të sigurisë si dhe për përfshirje në kryerjen e veprave penale prodhim të palejuar dhe lëshim në përdorim të drogave narkotike dhe mbajtje dhe trafikim me armë. Gjurçevski thotë se në këto aksione policore në 34 lokacione të Shkupit nuk janë kapur kokat e grupeve kriminale.