www.Zemra.Org

Nga 12 të arrestuar për çdo ditë

alfaSipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në qershor – Alfat kanë vazhduar aktivitetet me të njëjtin intensitet, duke vënë në pranga ose shoqëruar nëpër stacionet policore rreth 12 persona në ditë, kryesisht shtetas vendas.

Shkup, 8 korrik – Dhjetëra shtetas vendas, por edhe të huaj, çdo ditë “bien” në duart e përfaqësuesve të Njësitit policor për luftimin e formave më të lehta të krimit – “Alfa”. Janë të dhënat e Ministrisë së Brendshme ato që zbardhin se edhe në qershor, ky njësit policor ka vazhduar aktivitetet me të njëjtin intensitet, duke vënë në pranga ose shoqëruar nëpër stacionet policore rreth dymbëdhjetë persona në ditë, kryesisht shtetas të Maqedonisë. Të dhënat zyrtare, të prezantuara në raportin për muajin e kaluar, bëjnë të ditur se gjatë në qershor, Alfat kanë ndaluar 365 persona që kanë kryer shkelje të ndryshme ose janë kërkuar nga organet e rendit për të vuajtur një dënim të caktuar ose për t’u ballafaquar me drejtësinë. Raporti për muajin e kaluar zbardh se për pjesën më të madhe të të ndaluarve kanë ekzistuar dyshime për kryerjen e veprave të ndryshme penale, element ky i mjaftueshëm që Alfat të shoqërojnë dhe marrin në pyetje dhjetëra shtetas vendas, por edhe dhjetë shtetas të huaj.
“Duke vepruar në bazë të telegrameve të lëshuara nga ana e organeve të rendit, në qershor – Alfat kanë arrestuar 26 persona. Po kaq janë arrestuar edhe me masat që janë marrë si rezultat të lëshimit të urdhrave gjyqësore përkatëse. Dyshimet e kryerjes së veprave të ndryshme penale muajin e kaluar kanë çuar në pranga 54 shtetas vendas. Ndërkaq, 24 persona janë privuar nga liria menjëherë pas kryerjes së veprave penale, ndërsa në flagrancë janë kapur dhe arrestuar shtatë persona të tjerë. Përveç tyre, tetë persona janë arrestuar dhe shoqëruar në burgjet përkatëse për të vuajtur dënimet që i kanë anashkaluar duke qenë në arrati ose duke mosrespektuar vendimet gjyqësore. Të njëjtin muaj, tetë persona janë ndaluar për vërtetimin e identitetit të tyre, ndërsa 10 shtetas të huaj janë privuar nga liria, sepse kanë qëndruar në Maqedoni pa e rregulluar statusin e tyre”, thuhet në raportin e Ministrisë së Brendshme, në të cilin janë dhënë rezultatet e aktiviteteve të alfave për muajin e kaluar. Një shfletim i shpejtë i të dhënave zyrtare zbardh se një numër i madh i të arrestuarve, muajin e kaluar janë marrë me shpërndarjen ose mbajtjen e lëndëve narkotike. Alfat në qershor kanë arrestuar 46 persona që në fakt kanë kryer veprën penale të prodhimit dhe lëshimit në përdorim të lëndëve narkotike. Sipas të dhënave zyrtare, 35 prej tyre janë kapur me marihuanë, dhjetë të tjerë me lloje më të rënda narkotikësh, ndërsa një tjetër me tableta, që gjithashtu konsiderohen si lëndë narkotike. Të njëjtin muaj, 16 persona janë privuar nga liria për shkak se kanë marrë pjesë në rrahje të ndryshme, kanë sulmuar dikë ose kanë fyer ose sulmuar policët gjatë ushtrimit të detyrës. Në qershor, Alfat kanë sekuestruar tre pistoleta gazi dhe dy pistoleta standarde, duke arrestuar mbajtësit e tyre. Ndër të tjera, muajin e kaluar Alfat kanë ndaluar nëntë të mitur që kanë konsumuar alkool, të cilët i janë dorëzuar policisë së rregullt për procedimin e mëtejshëm të rasteve kundër tyre.

Exit mobile version