Semi përshëndetje!
Të kemi parë së fundmi në “Kënga Magjike” në performancë shumë të veçantë. Cilët janë autorët e këngës tënde dhe çfarë synon të arrish në këtë kompeticion?
Faleminderit! Autorët e këngës së interpretuar nga ne janë: Muzika & orkestrimi nga Bojken Lako, që mendoi të krijonte këtë grup dhe në këtë rast është edhe producenti i ‘grifshave’, ndërsa teksti nga Bojken Lako dhe Eni Shehu. “Kënga Magjike” ishte eventi që përkoi me krijimin e ‘grifshave’ kështu që menduam të shfaqeshim atje premierë. Arritje tek ky festival do të ishte përfaqësimi sa më i mirë në finale, nëse do të arrijmë deri aty.
Emri i grupit ku ti bën pjesë është shumë u veçantë. ‘Grifshat’, pse ky emër? Je edhe ti pak grifshë?
‘Grifshat’ është menduar të jetë një grup shumë aktiv, si ai shpendi i vockël që bredh sa andej këtej duke zgjuar tërë pyllin me klithma. ‘Grifshat’, se tingëllon mirë. ‘Grifshat’, se janë unike dhe kjo jo se jam unë pjesë e këtij grupi, por fakti është që s’ka formacion tjetër të ngjashëm. Grifshë në skenë po, unë, patjetër.
Kur e nxjerr anën tënde si grifshë, në ç’momente?
Momentet e provave janë shumë të mundimshme dhe impenjative për të nxjerrë sa më shumë nga grinta jonë.
Në grup bën pjesë edhe një djalë, po ai ç’ne me ‘Grifshat’?
Rei është një muzikant shumë i talentuar dhe punëtor, kjo për shkak edhe të babait të tij, që është njëri nga kitaristët më të njohur shqiptar (Sokol Shehu). Kështu menduam që një djalë do të shkonte dhe do t’i jepte tjetër rëndësi grupit.
Ç’domethënie ka teksti i këngës suaj?
Sinteza e kësaj kënge është menduar nga të gjithë komponentët të japë një farë përfaqësimi apo personalizimi që ne, si të rinj që jemi, përjetojmë dhe ndeshim në ditët tona. Ka plot të rinj, të aftë dhe të talentuar që për një arsye apo një tjetër nuk kanë mundësi të shpërfaqen dhe mbase paragjykimi i bën ata të stepen dhe mos të ndjekin pasionin e tyre. Kështu, ‘Grifshat’ mendoj se ia dalin për të dhënë një mesazh që duke ndenjur ashtu si Zoti na ka krijuar me të mirat dhe të këqijat tona, nuk mund të ndryshojmë se dikush tjetër dëshiron.
Të flasim pak për muzikën që ju ushtroni, është një rrymë jo shumë e përhapur në Shqipëri dhe për më tepër me jo shumë publik. A ia vlen përpjekja, keni menduar ndonjëherë të bëni këngë komerciale, pasi kështu mund të fitoni edhe më mirë?
Kjo rrymë nuk është aq e habitshme. Është rrok modern. Ka shumë njerëz dhe në Shqipëri që duan të dëgjojnë nëpër klube, të luajnë dhe këtë lloj muzike. Ne jemi në fillim të kësaj rruge dhe nuk po bëjmë diçka për të fituar thjesht duam të bëjmë diçka të mirë.
Vjet keni mbaruar liceun artistik për kanto, me çfarë po merreni tani?
Tani jam e përqendruar tek grupi dhe provat me të. Pothuaj një pjesë të mirë të ditës e kaloj duke diskutuar me ‘Grifshat’ për këngët dhe vazhdueshmërinë e këtij projekti muzikor.
Së fundmi është zbuluar edhe lidhja juaj me Bojken Lakon, mund të na flisni pak më shumë për këtë relacion?
Bojkenin e kam bashkëpunëtorin tim më të ngushtë.
Prej sa muajsh jeni në një lidhje?
I them të gjithë njerëzve që janë të interesuar dhe duan të mësojnë më shumë rreth kësaj ngjarje (që mesa duket është shumë më shumë e rëndësishme se arti dhe muzika që ne bëjmë), se përgjigjet me detaje të hollësishme mund t’i zbuloni pas botimit të “librit tim” me titull “detaje nga jeta ime private”.
Sa ju ka ndihmuar Bojkeni në perfeksionimin e muzikës që ju bëni?
Ka bërë të njëjtën gjë që do të bënte me çdo artist të talentuar. Muzikë të mirë dhe video shumë kreative.
Flasim pak edhe për pushimet e këtij viti ku i kaluat?
E angazhuar me një tur koncertesh me grupin “BREZAT”…
Ndërkohë mund të na tregoni se cili do të jetë hapi i radhës, pas “Këngës Magjike”? Do të realizoni ndonjë videoklip?
E kemi në plan dhe po mendojmë për këngën dhe gjithçka që do duhet për realizimin e këtij klipi.
Faleminderit!
Faleminderit dhe ju…