Kaltrina, jeni duke realizuar një videoklip të ri. Mund të na tregoni se për çfarë videoklipi bëhet fjalë?
Kaltrina Selimi: Kemi xhiruar tashmë disa skena të klipit të këngës më të fundit, të cilën veçse e kam lansuar në programet festive të Vitit të Ri. Kemi mbetur të xhirojmë edhe skena të tjera në vende të hapura, të cilat për shkak te motit të papërshtatshëm nuk kemi mundësi t’i xhirojmë.
Kur pritet që klipi të transmetohet nga televizionet?
Kaltrina Selimi: Nuk di të them saktësisht kur, sepse ne sapo kemi filluar xhirimet, por për shkak të motit jemi vonuar ta lansojmë klipin nëpër medie. Shpresoj se kjo të ndodhë shumë shpejt.
Bashkëpunimi
Me kë keni bashkëpunuar rreth këtij videoklipi?
Kaltrina Selimi: Prapë jemi duke bashkëpunuar me produksionin “IMAGINE”, me të cilët kemi qenë shumë të kënaqur me klipin paraprak.
Pse vendosët ta publikoni tani këtë klip, kur dihet se tash nuk është sezon i editimit të këngëve?
Kaltrina Selimi: Meqenëse këngën e kam lansuar më herët, patjetër që nuk mund ta lë për më vonë që t’ia realizojë klipin, ngase kam në plan që para sezonit ta lansoj dhe një këngë të re, për të cilën jam duke punuar qysh tani.
Përpos klipt që jeni duke punuar, jeni duke menduar të bëni edhe ndonjë këngë të re?
Kaltrina Selimi: Jam angazhuar edhe rreth këngëve të reja. Jam në bisedime me disa kompozitorë për të punuar edhe këngë të tjera të reja.
Tash kanë filluar të mbahen edhe festivalet muzikore. Do të merrni pjesë sivjet në ndonjë festival që mbahen në Shqipëri?
Kaltrina Selimi: Jo. Sivjet nuk kam në plan të marr pjesë në ndonjë festival.
Risi gjatë verës
Prejse jeni fejuar jeta juaj është midis Lodrës dhe Prishtinës. Mund të na përshkruani më konkretisht këtë mënyrë të jetesës?
Kaltrina Selimi: Është e vërtetë, sidomos kohëve të fundit po udhëtoj drejt Londrës më shpesh. Është diçka e mirë, sepse zakonisht kur shkoj atje i jap vetës pushim. Londra është një vend shumë i mirë për t’u qetësuar e për t’u relaksuar, sidomos më ndihmon shumë edhe për shoping.
Është folur nëpër medie se i fejuari juaj ka pranuar ta braktisë Lodrën për të qenë pranë jush në Prishtinë. Është e vërtetë kjo?
Kaltrina Selimi: Unë tanimë kam ndërtuar një karrierë, të cilën dua ta vazhdoj dhe të qenit larg vendit do të më largoj dhe nga puna, dhe për hir të kësaj Dritoni është dashur të sakrifikojë në njëfarë mënyre dhe të kthehet në Kosovë. E them të sakrifikojë, sepse nuk është e lehtë për të, pasi ka shumë vjet që jeton dhe vepron në Londër.
Natyrisht, se publikut i intereson të dijë më shumë se a mund të ndodhë që brenda këtij viti Kaltrina të martohet?
Kaltrina Selimi: Kur më bëhet kjo pyetje më fut paksa në siklet, sepse nuk kam ende asgjë konkrete për t’ju thënë dhe ekziston edhe një pikëpyetje, se a do të ndodhë martesa këtë vit apo jo!
Kaltrina, deshëm t’ju pyesim pak edhe për Aurela Gaçen. Tash jemi shumë afër nisjes së festivalit “Eurosong 2011”. Sivjet Shqipërinë do ta përfaqësojë Aurela Gaçe. Ju sigurisht e keni dëgjuar këtë këngë. Mund të na thoni se a mund ta përfaqësojë kjo këngë denjësisht Shqipërinë në “Eurosong”?
Kaltrina Selimi: Më gëzon fakti se do të na përfaqësojë një këngëtare e madhe siç është Aurela Gaçe, e cila ka një energji shumë të madhe, e për vokalin të mos flasim. Kam dëgjuar se kënga po riorkestrohet dhe do të regjistrohet prapë, kështu që kam shumë besim që do të na përfaqësojë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Çfarë planesh keni për të ardhmen e afërt?
Kaltrina Selimi: Vazhdimisht jam duke punuar dhe shpresoj që për sezonin e verës të sjellë diçka të mirë.