Sipas kësaj partie, ballafaqimi i shteteve të Evropës perëndimore me numrin e lartë të azil-kërkuesve i ka detyruar Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Ministrave të rishqyrtojnë validitetin e vendimit për heqjen e vizave për qytetarët e Maqedonisë.
“Fatkeqësisht, në debatet rreth kësaj teme shigjetat drejtohen kundër viktimave e jo kundër atyre që kanë mbjellur varfëri të skajshme të popullatës, papunësi marramendëse dhe diskriminim racial. Për BDSH, azil-kërkuesit janë viktima dhe çdo vendim kundër tyre do t’i sjell në situatë të viktimizimit të dyfishtë! Nëse ndaj dikujt duhet aplikuar vizat dhe izolimi, atëherë janë pikërisht politikanët e implikuar në plaçkitjen e pasurive të popullit që duhet t’i bartin pasojat dhe sanksionet”, thekson kjo parti.
“Pa heqjen e të gjitha formave të diskriminimit, shqiptarët e Maqedonisë rrezikohen të shndërrohen në popull apatrid! Pra të shndërrohen në persona që asnjë shtet nuk i konsideron si qytetarë të vet! Vetëm heqja e diskriminimit dhe investimet për të hequr dallimet në zhvillim mund të krijojnë parakushtet që edhe shqiptarët e Maqedonisë të lëvizin lirshëm në Evropën perëndimore dhe shtetet tjera të demokracive në përputhje me kriteret e Marrëveshjes së Shengenit!”, nënvizon në fund të komunikatës BDSH.