www.Zemra.Org

Qeveria shkeli popullin për Serbinë

Të qenët nënkryetar i Kuvendit në Kosovë nuk mjafton si argument për t’i shpëtuar dhunës së policisë. Të paktën Glauk Konjufcës së lëvizjes Vetëvendosje ky privilegj nuk i ka hyrë në funksion të shtunën.

Ai është rrahur njëjtë si secili qytetar tjetër që ka qenë pjesë e aksionit për mbylljen e kufirit me Serbinë, konform mocionit të Kuvendit të Kosovës për reciprocitet të plotë, të miratuar më 7 dhjetor të vitit të kaluar.

Konjufca, i cili ishte munduar të mos lejonte mallrat e Serbisë të hynin nga Serbia nga Dheu i Bardhë, ka folur për Kohën Ditore, vetëm pesë minuta pasi disa policë në Stacionin e Policisë së Kosovës në Gjilan i kanë thënë: “Je i lirë”. Ai ka thënë që 14 janari ka zbardhur shumë gjëra në Kosovë.

“Dita e sotme e ka vërtetuar një gjë – që Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës për t’ia shtruar rrugën Serbisë drejt Kosovës me pesëqind milionë euro mallra të saj, ka qenë në gjendje që të shkelë mbi popullin e Kosovës dhe mbi qytetarin e Kosovës. Dhe, kjo është parë shumë qartë se si mes popullit dhe Serbisë, Qeveria e Kosovës e ka zgjedhur Serbinë”, ka thënë Konjufca.

“Ne ishim tërësisht paqësorë, ne i lejonim të qarkullonin edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, ne çka bllokuam ishin vetëm kamionët me mallrat serbe. Dhe duke e parë një ndërhyrje kaq brutale, mizore e të dhunshme të Qeverisë kundër qytetarëve edhe me urdhra të qarta për Policinë nga ana e Qeverisë, atëherë këtu nuk ka tjetër mesazh përveç atij se Qeveria e Kosovës ka interesa vitale, jetike e ngushtësisht të lidhura ekonomikisht me shtetin e Serbisë. Përndryshe, një mizori e tillë dhe një dhunë e tillë nuk mund të shpjegohet ndryshe ndaj qytetarëve – të cilët ia duan të mirën Kosovës dhe duan reciprocitet të plotë me Serbinë – përveçse me faktin që Qeveria e Kosovës ka lidhje speciale ekonomike me Serbinë”.

Konjufca thotë se është goditur fizikisht, pa nevojë, përderisa nuk ka qenë fare i dhunshëm, ashtu sikurse shumica e aktivistëve të Vetëvendosjes.

“Jam tërhequr zvarrë për disa metra nga Policia dhe pasi më kanë tërhequr zvarrë jam ngritur në këmbë dhe atëherë kanë filluar të më godasin”.

Në stacion policor Konjufca thotë se janë trajtuar si kriminelë.

“Kjo është arsyeja që ne nuk kemi dhënë fare deklarata. Unë kam dhënë të dhënat personale të statusit civil, mirëpo jo edhe deklarata, sepse konsiderojmë që ne si deputetë , por edhe si aktivistë, nuk kemi qenë fare subjekt kriminal, për sa kohë që kemi mbrojtur një vendim plotësisht legjitim të Kuvendit të Kosovës”.

Vetëvendosje ka thënë se do të heqin dorë ng aksioni për mbylljen e kufirit vetëm atëherë kur Qeveria e Kosovës e zbaton mocionin e Kuvendit.

“Beteja vazhdon, beteja nuk është e njëtrajtshme, ajo ka shumë fusha ku zhvillohet dhe ne do ta shtyjmë këtë përpara”, ka thënë Konjufca.

Exit mobile version