www.Zemra.Org

Serbia përgatitet për luftë?

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd ka pranuar një letër nga një burrë i cili ditë më parë është ftuar nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë për rreshtim për luftë më 5 tetor 2011.
“Ky person, përmes hetimeve në internet, po edhe përmes kontakteve të tij, ka ardhur në përfundimin se fjala është për formimin apo përtëritjen në rast të luftës të një njësiti të rezervistëve në Pozharevc”, ka thënë për “Danas” Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit.

Sipas saj, burri – identitetin e të cilit kjo OJQ dëshiron ta mbrojë – në letër thoshte se nuk dëshiron dhe nuk do që të jetë pjesë e rezervistëve të luftës, se dëshiron ta realizojë të drejtën e tij njerëzore për të mos mbajtur armë në asnjë rrethanë, “e lëre më që dikush ta rreshtojë për luftë”.

Përmes letrës ai frikësohet se do të dënohet me burg ose me gjobë në rast se nuk i përgjigjet ftesës.

“Shteti, i cili për të gjitha vitet e fëmijërisë sime – e deri më sot, kur unë tashmë jam një burrë i rritur, 31 vjeç, që planifikon familje – nuk m’i ka ofruar kushtet për një jetë të denjë, e ka guximin të kërkojë që të jem pjesë e rezervistëve në rast lufte. Dhe në të njëjtën më kërcënojnë financiarisht ose me burgim në rast se unë këtë nuk e dëshiroj. Nuk e di nëse më kaplon më shumë frika apo zemërimi”, thuhet në letrën që e ka pranuar Komiteti i Helsinkit, përmes të cilës kuptohet se ai ka kontaktuar edhe Zyrën e Komisionierit për të Drejtat e Njeriut dhe Qendrën e Beogradit për Veprime Kundër Luftës.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk ka dhënë përgjigje në pyetjen e ditores “Danas” nëse është e vërtet se po formohet apo përtërihet njësiti ushtarak në Pozharevc dhe se cilat janë të drejtat e personit i cili nuk dëshiron t’i përgjigjet kësaj thirrjeje.

Exit mobile version