www.Zemra.Org

Shkarkohet kryeshefi i policisë së Tetovës, Shefik Bajrami

Ndryshime radikale kuadrovike dhe organizative në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Drejtoria për Siguri Publike do ti nënshtrohet një ndryshimi rrënjësor strukturor dhe organizativ, por edhe kadrovik. Në vend të 3 sektorëve të deritanishëm, do të krijohen 6 sektorë, ndërsa do të shtohen edhe 6 ndihmës drejtorë të cilët do të udhëheqin me sektorët.

Përveç ndryshimit të strukturës, do të ketë edhe avancime, lëvizje horizontale, por edhe zbritje në detyrë. Sipas MPB-së, ky intervenim është serioz dhe përbën ndryshime serioze, në funksion të përmirësimit të punës së Policisë, për shkak të nevojës për rritjen e kapaciteteve dhe funksionalitetit të saj.

Ata synojnë që me këto ndryshime të rritet siguria publike, efektiviteti i policisë dhe punë më ekonomike të kësaj drejtorie. Përveç Drejtorisë për Siguri Publike, do të ndryshojnë edhe 3 kryeshefë të Sektorëve rajonale policore, duke përfshirë edhe Sektorin më të madh, atë të Shkupit.

Në vend të Apostoll Stojanovskit, në krye të këtij Sektori vjen Goranço Savovski. Ndryshon edhe Sektori lokal në Tetovë, ku në vend të Shefik Bajramit do të marrë detyrën Faredin Zenuni nga Sellarca i punësuar në Drejtorine për Zbulim dhe Kundërzbulim, si dhe në Sektorin e Brendshëm në Strumicë kryeshef vjen Gjorgji Bozhinov në vend të Marjan Nakovskit.

Mes posteve që do ti nënshtrohen ndryshimit është edhe Organi për njësite të veçanta, nën kompetencë të së cilit janë EBR, Njësiti antiterrorist PEP dhe Tigrat.

Në krye të këtij organi vjen Antonio Stankovski. Nga MPB-ja hedhin poshtë mundësinë që këto ndryshime të jenë pasojë e incidenteve të shpeshtuara ndëretnike dhe prishjen e sigurisë publike. Ata thonë se këto ndryshime planifikohen tashmë 1 vjet e gjysmë, por pranojnë që si qëllim final kanë përmirësimin e punës së policisë.

Exit mobile version