Kush është Fatbardha Hetemaj?
Hetemaj: Unë kam lindur në një qytet të Kosovës, në Skënderaj. Kam jetuar atje deri
në moshën 7 vjeçare. Shkollën fillore, gjegjësisht klasën e parë e ndjeka në vendlindjen time. Ishte viti 1992 kur unë së bashku me familjen time emigruam në Finlandë. Për shkak të gjuhës më është dashur ta nisë prapë shkollën fillore që nga klasa e parë në qytetin Oulu, këtu në Finlandë. Pastaj u zhvendosëm në Helsinki ku atje vazhdova dhe përfundova gjimnazin.
Në vitin 2005-2008 u regjistrova në Angli në Worcester University në fushën për udhëheqje të përbashkët. Studiova edhe një gjashtëmujor në pranverën 2007 në Universitetin Halmstad në Suedi në degën Ekonomi dhe Biznes. Në 2008 e mbarova fakultetin në Angli. U ktheva në Helsinki, punova një vit dhe u regjistrova më 2009 në menaxhment pranë Universitetit Hanken School of Economics, në Helsinki (Hanken School of Economics), ku vazhdova magjistraturën në degën e Menaxhmentit Ndërkombëtar. Pastaj studiova edhe një gjashtëmujor në vjeshtë 2010 në Suedi, respektivisht në Stockholm, në Stockholm School of Economics. Tani po vazhdoj në Helsinki dhe kismet pres të magjistroj në këtë pranverë. Është mjaft punë e lodhshme dhe e mundimshme të merresh me studime dhe njëkohësisht me politikë. Por unë nuk i lë
asnjëherë anash studimet.
Në kuadër të çfarë subjekti politik garoni për deputete?
Hetemaj: Unë kam vendosur që me Partinë Kokomus, që është njëherësh ndër partitë më të mëdha në Finlandë, të hy në këtë garë si deputete nga Helsinki për Parlamentin e Finlandës, në zgjedhjet që do mbahen më 17 prill 2011. Në këndvështrimin tim Partia Kokomus është parti moderne dhe me ndikim. Ajo nuk përqafon vetëm sfidat, por përpiqet që ta zhvillojë shoqërinë duke i dhënë drejtimin e duhur për të ardhmen. Kjo parti nuk bazohet në ideologji të thjeshtë, por ofron mjete konkrete në mënyrë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.
Çka ju shtyri të bëheni pjesë e politikës, në një shtet siç është Finlanda?
Hetemaj: Do të thosha se kam shumë arsye që jam futur në politik, pasi edhe
arrita përgatitjet e mia profesionale, studimet master etj, vendosa që edhe unë si pjesë e këtij vendi të shpalos idetë e mia personale, që do të ishin konform ideve të shoqërisë së Finlandës, gjegjësisht qytetit Helsinki ku unë kandidohem. Çdo herë jam ndier pranë shoqërisë në këtë vend, madje edhe më ka shqetësuar fakti që do duhej që dikush të përfaqësonte këta të rinj që fjala e tyre të dëgjohet në instancat më të larta të shtetit. Unë jo rastësisht gjendem në këtë garë, sepse mua çdo herë më ka pëlqyer të merrem me çështje dhe probleme që i preokupon shoqërinë. Nga pikëpamja ime, besoj shumë që me përvojën time jetësore, me shkollimin tim, besoj që jam në gjendje që ato ide t’i bëj të mundura që të realizohen shumë mirë.
Kur pyet pse të merrem me politik në Finlandë, mendoj që për të sjellë ndryshime
duhet të bësh punë shumë dhe vullnet të madh, dhe padyshim të sjellësh ide për çështje të përbashkëta dhe të marrësh përgjegjësi të përbashkëta. Gjithashtu mendoj se nëse merresh me politikë duhet patjetër ta gëzosh një bindje të plotë në perspektivë. Për më tepër ju duhet të keni dhe sens të bashkëpunimit, të jeni fleksibil, i drejtpërdrejtë etj. Duke marrë për bazë të gjitha këto virtyte që posedoj, mendoj që as suksesi nuk do më mungoj dhe besoj jam një përfaqësuese e denjë për këtë post.
Me çfarë premtimesh për elektoratin keni hyrë në këtë garë?
Hetemaj: Unë dhe partia ime që kandidoj kemi pikësynimet tona që gjithashtu janë
në interes të qytetarëve. Jemi të udhëhequr nga vlera të fuqishme për të ndërtuar një shoqëri ku secili qytetar të ketë të drejtën e tij individuale. Ndër vlerat konservative janë: liria, kualiteti i mundësive, civilizimi, mbështetja, toleranca dhe kujdesi. Kjo është ideologjia e partisë. Në këndvështrimin tim, partia jonë është parti moderne dhe me ndikim.
Ajo jo vetëm që përqafon sfidat që paraqiten, por edhe bën përpjekje të vazhdueshme që ta zhvillojë shoqërinë duke i dhënë kështu një drejtim të duhur për një të ardhme sa më prosperuese. Gjithashtu unë personalisht nuk do të preferoja të paraqisja ide të thjeshta, por kam ofruar mjete konkrete në mënyrë që të arrijë pikësynimin tim për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët.
Sa është numri i shqiptarëve që jetojnë në Finlandë dhe si është jeta
e tyre atje?
Hetemaj: Në fund të vitit 2009 kemi pas 6 mijë e 800 shqiptarë. Po këtu jetojnë një
pjesë e madhe e shqiptarëve. Finlanda ka qenë një vend që ka mirëpritur shqiptarët, duke ua krijuar kështu kushtet e mira për shkollim dhe edukim në nivel të lart. Është vend që pavarësisht se cilit vend i takon, pavarësisht nga ke ardhur, të jep mundësinë për sukses, ndër prioritetet e shumta që ka shteti finlandez janë edhe të ardhurat për fëmijët, përfitimet sociale, mundësinë për shkollim dhe avancim, zhvillim të bizneseve, etj.
A synoni edhe vota të finlandezëve dhe nacionaliteteve tjera, apo
jeni të fokusuar kryesisht tek komuniteti shqiptar?
Hetemaj: Duke marrë parasysh që unë jam kandidate potenciale në qytetin Helsinki,
do mendoja që do ishte mirë sikur elektorati të ishte në shumicë finlandez, sepse kur kihet parasysh që janë më shumë në numër karshi numrit të vogël të shqiptarëve. Në anën tjetër, unë do t’i ftoja të gjithë shqiptarët që jetojnë në Finlandë të votojnë atë ditë më 17 prill. Por kandidimi im është në rreth të ngushtë, domethënë vetëm në qytetin e Helsinkit, kështu që pres të marr më tepër vota nga finlandezët, sepse po them prapë, janë më shumë në numër dhe janë më votues aktivë.
Çka do të kontribuoni për komunitetin shqiptar në Finlandë?
Hetemaj: Siç dihet kombi shqiptar i ndarë në disa shtete në botë i përket një diaspore të madhe. Unë do të mund të bëja përpjekje për ofrimin e botës shqiptare afër kësaj perëndimore, të qytetëruar në aspektin politik, kulturor dhe ekonomik këtu në Finlandë. Është fakt që këtu qe një kohë shqiptarët shikoheshin nga një kënd i errët, por për fat të mirë shqiptarët derdhën mund për të ndriçuar anën e tyre pozitive.
Deri më tash nuk kam pasur mundësinë të bëjë diçka më konkrete në këtë drejtim, mirëpo tashmë që jam në garë për t’u futur në Parlamentin e Finlandës dhe gjithsesi, nëse arrijë të fitoj, do të mendoja që të angazhohesha në këtë drejtim. Synimi im ka qenë gjithnjë që mos të bëjë ndarje në mes grupeve të popujve çkado qofshin ata dhe ngado që ata vijnë nëse janë qytetarë të Finlandës, do të bëj më të mirën për ta, edhe pse shpesh me skepticizëm pyes veten sesi mund t’i ndihmojë këta njerëz.
Prandaj mendoj që komuniteti që jeton këtu në Finlandë me këtë prezencë jo edhe aq të madhe që ka, duhet të shndërrohet në modelin e aftë të një shoqërie të afërt me vlerat perëndimore. Duhet kuptuar faktin që integrimi i kësaj shoqërie nuk është kaq i thjesht, në fakt përmban disa segmente specifike dhe komplekse. Një pjesë shumë e madhe e shoqërisë shqiptare duhet të bëjnë në pikëpamje psikologjike dhe kulturore. Jetësimi i këtyre vlerave në përpikëri dhe përkushtim do të mund të kuptonte një të ardhme më të ndritshme, me mirëqenie stabile në shtetin e Finlandës. Në të kundërtën, nëse nuk jetohen këto vlera dhe nuk praktikohen, ky komunitet do mbetet kështu çdo herë, servile, pa përkujdesje të mirëfilltë institucionale.
Sa janë gjasat që ju të fitoni në këto zgjedhje?
Hetemaj: Unë nga partia ime jam radhitur në vendin e pestë në garën për deputete, gjithnjë duke iu referuar kampanjave të mia që kam bërë dhe në bazë të disa sondazheve që janë bërë, kam dal si kandidate potenciale që do mundem ta fitoj këtë post. Besoj që qytetarët më kanë dhënë mesazh të qartë se duan të votojnë një njeri me vlera dhe një njeri qe ka vizion të qartë. Por do të shikojmë. Mua më duhen 5 mijë vota.
Si i shihni zhvillimet politike në Kosovë?
Hetemaj: Mendoj që në Kosovë zhvillohet një politike duke menduar që secila parti ose subjekt politik si qëllim kryesor ka marrjen në dorë të timonit të udhëheqjes së pushtetit. Të gjitha subjektet politike në një shoqëri të caktuar demokratike, përveç se luajnë rolin e ardhjes në pushtet, ata duhet doemos të kenë synim në rend të parë në planin e jashtëm të mbrojnë interesat kombëtare të Kosovës, ndërsa në atë të brendshëm përmes programeve të ofruara, të bëjnë diçka më shumë dhe më mirë për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Sa kuptohet dhe realizohet kjo logjikë e politikëbërjes në Kosovë është diçka që duhet pritur me duket edhe shumë kohë. Politika kosovare është zhytur në një hendek të thellë dhe në një krizë që më duket vështirë se po kalohet respektimi i fjalës së dhënë. Përgjegjësia që elita politike ka ndaj qytetarëve të atij vendi, me duket dita ditës është duke u zbehur. Duket qartë se politika në Kosovë është para interesave të subjekteve politike, sesa ndaj interesave të popullit të Kosovës. Thjesht, vlerat nuk kanë kurrfarë rëndësie para marrëveshjeve partiake.
Më vjen keq ta them, por derisa kjo situatë të jetë kështu e rënduar, vështirë që Kosova do të dal nga kriza politike, gjë e cila po ndikon që Kosovës po i krijohet një imazh i keq karshi Bashkimit Evropian. Po ashtu, më pengon shumë edhe korrupsioni në Kosovë.
A e shihni veten ndonjëherë si pjesë të politikës së Kosovës, domethënë të ktheheni dhe të kontribuoni në Kosovë?
Hetemaj: Në Finlandë ku jam tani duke punuar dhe vepruar ndjehem mirë me politikën në përgjithësi, por meqë nuk jam duke jetuar në Kosovë dhe për disa kohë as nuk e kam ndërmend të kthehem në Kosovë, nuk mundem të jem pjesë e politikës së këtij vendi. Nuk e anashkaloj mundësinë që nëse do isha në Kosovë do të filloja të merresha me atë çështje dhe e dyta nëse me ndonjë mision të Finlandës, nëse do kisha marrë ndonjë ftesë, pse jo do të vija të kontribuoja në Kosovë.