Në një intervistë për suplementin “THASH&THEM” Dushi rrëfen hap pas hapi përjetimet në konkursin “Miss Albania” dhe “Miss Universe Albania” si dhe dëshirat dhe ëndrrat e 22-vjeçares nga Rrësheni.
Adrola na ngjan pak me modelen e njohur Naomi Campbell, e në fakt nuk është çudi që është edhe modeli që e frymëzon më shumë.
Adrola, shpalleni “Miss Universe Albania”, mes shumë vajzave të tjera të bukura, çdo të thotë ky çmim për ju?
Sigurisht që mbi të gjitha është një privilegj i madh të jem qoftë edhe për një vit vajza më e bukur e Shqipërisë, gjë që më jep mundësinë të përfaqësoj vendin tim në konkurse ndërkombëtare.
Kurora e bukurisë këtë herë shkon në Rrëshen, si ju pritën në qytetin tuaj?
Ishte një emocion më vete edhe mikpritja që pata në qytetin tim, njerëz pa fund të cilët më përsërisnin një fjali e cila më shumë se çdo gjë tjetër të bën të ndihesh mirë: “Adrola jemi krenar për ty!”
E mendonit që do të shpalleshit ju fituesja e këtij eventi bukurie?
E përmenda pak më lartë faktin që konkurrenca në “Miss Albania” ishte tepër e fortë, kjo e bënte çdo konkurrente një fituese të mundshme, kështu që nuk do ta kisha besuar se në 20 bukuroshe do të isha unë ajo që do të merrte një kurorë në fund.
Sa e keni ndjerë konkurrencën mes vajzave të tjera konkurrente?
Ishte një konkurrencë shumë e fortë, pasi të gjitha vajzat ishin shumë të bukura në mënyrën e tyre të të qenit, dhe çdo gjë e veçantë që kishin si në fizik, ashtu edhe në personalitet i bënte ato konkurrente të denja për titullin e më të bukurës së Shqipërisë.
Do të përfaqësoni Shqipërinë në Miss Universe në Las Vegas, sa i druheni konkurrencës atje?
Atje është një përgjegjësi e shumëfishtë, sepse shkoj duke pasur mbi supe emrin “Shqipëri”, nuk do doja të flisja për konkurrencë, thjesht uroj të paraqitem sa më mirë.
Keni menduar ta ndryshoni pamjen për këtë event?
Personalisht jo, por edhe nëse ndodh një ndryshim në look-un tim, sërish do të ndihesha e qetë, sepse jam në duar profesionistesh.
Çfarë është e bukura për ju?
Çdo gjë që qëndron në brendësinë e njeriut dhe në momentin e parë, që materializohet i lumturon njerëzit që ka përreth.
Jeni përzgjedhur nga një juri profesioniste, si ju bën të ndiheni ky fakt?
Sigurisht që më bën të ndihem mirë dhe e vlerësuar.
E keni ndjekur më parë Miss Albanian dhe e keni pasur një miss të preferuar?
Të tregohem e sinqertë nuk e kam ndjekur rregullisht (si natyrë çapkënë dhe gati prej djali, nuk e kam parë veten ngushtësisht të lidhur me konkurset e bukurisë), por me pjesëmarrjen tek “Miss Albania” pata fatin të njihja personalisht një vajzë të mrekullueshme, që sot e kam dhe mike, Miss Arnita Beqiraj.
Keni një modele që ju frymëzon?
Naomi Campbell.
Çfarë do të kujtoni nga kjo eksperiencë?
Çdo gjë që ka ndodhur në këtë periudhë, që nga dita e pare kur kanë nisur provat dhe deri në momentin e kurorëzimit. Një eksperiencë e paharrueshme e cila do të mbetet gjithmonë në mendjen time si mënyra më e bukur për të përshkruar një periudhë të jetës sime.
Krijuat miqësi në Miss Albania?
Sigurisht që po, ndër të tjera kjo është diçka të cilën do ta ruaj dhe kujtoj më shumë dashuri.
Ç’mendim keni për konkurrentët meshkuj?
Gjithashtu edhe ndërmjet tyre kishte konkurrencë të fortë, i uroj më të mirat Geraldos, djalit që fitoi.
Do ta vazhdoni rrugën tuaj drejt modelimit?
Është herët për të thënë në qoftë se do të vazhdoj një karriere si modele ose jo, për momentin, shqetësimi im kryesor është përfaqësimi sa me dinjitoz i vendit tim. Pas konkursit të “Miss Universe” besoj se gjërat do të jenë më të qarta edhe në aspektin e karrierës si modele.
Përveç modës, çfarë ju pëlqen tjetër?
Pas kësaj arkitektura është e ardhmja ime në planin afatgjatë.
Sa ju mbështeti familja në këtë eksperiencë tuajën?
Ata ishin mbështetje ime kryesore dhe pika ime e fortë. I dua dhe i falenderoj shumë për këtë fakt.
Ëndrra juaj më e madhe..
Unë besoj tek fundet e lumtura dhe tek shprehja “Jetuan përgjithmonë të lumtur!” Ëndrra ime është që edhe jeta ime të përfundojë me këtë shprehje, një familje e lumtur dhe e shëndetshme është qëllimi im kryesor.