www.Zemra.Org

Agonia e pritjes për vizat mund të marr fund më 13 tetor

Më 13 tetor, sipas Radio Evropës së Lirë, pritet të diskutohet liberalizimi i vizave për Kosovën në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian. REL raporton se Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar këtë letër vendeve anëtare

Edhe pse u përfol, liberalizimi i vizave për Kosovën nuk ishte në rend dite të mbledhjes së Këshillit Evropian më 23 qershor.

Por, një lajm i mirë për qytetarët e vendit të vetëm në Ballkanin Perëndimor, të cilët s’mund të udhëtoje pa viza, mund të vijë më 13 tetor.

Ne këtë datë pritet të diskutohet kjo temë në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian.

“Pasi Presidenca Çeke mendon se arsyet e lidhura me politikën e jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën janë bindëse, ajo shpreson se të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të arrijnë pajtim të brendshëm politik për këtë çështje”, thuhet në letrën e shteti çek.

Në këtë letër të dërguar nga Presidenca Çeke thuhet se liberalizimi i vizave do ta rriste besueshmërinë e BE-së në rajon, duke përmendur se Kosova ka përmbushur kriteret qysh në vitin 2018.

“Presidenca Çeke është në kontakt të ngushtë me Komisionin Evropian. Jemi pajtuar për një përditësim teknik të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave që do të mbulonte periudhën nga raporti i publikuar në vitin 2018. Ky përditësim teknik supozohet se do t’i paraqitet grupit punues për vizat në muajin tetor”, thuhet tutje në këtë letër.

Presidenca Çeke beson se ky përditësim do të jetë pozitiv dhe se do t’i konfirmojë rezultatet e gjetjeve të Komisionit në vitin 2018.

Burimet diplomatike të REL-it në Bruksel e shohin qëllimin e Çekisë që të nisë procedurën për vendimin për liberalizimin e vizave si dëshmi se tashmë ekziston një mbështetje e madhe për këtë në Këshill.

Exit mobile version