Përfaqësuesja ukrainase luajti më mirë në fraksionin e parë duke u përpjekur që të shënojë, ndërkohë që Tre Luanët më shumë u mbrojtën, por ishin të rrezikshëm nga kundërsulmet. Sido që të jetë, pas 45 minutave, rrjetat heshtën.
Porsa filloi gjysma e dytë, Steven Gerrard harkoi në zonë dhe aty ishte i kthyeri nga suspendimi, Wayne Rooney, i cili shënoi ndoshta golin më të thjeshtë në karrierë (48’), por që gëzon secilin tifoz të Anglisë.
Bashkënikoqirët e Euro 2012 u përpoqën që të bënin diçka në favor të tyre, duke qenë se Franca ishte duke humbur në ndeshjen tjetër, megjithatë nuk patën sukses.
Nga ana tjetër përkundër humbjes prej 2-0 nga Suedia, kombëtarja e Francës ka siguruar pjesëmarrjen në çerekfinale të Euro 2012 nga pozita e dytë në grup.
Pas asistimit të Sebastian Larsson, Zlatan Ibrahimovic u përkujdes për golin e parë në ndeshje (54’).
Asistuesi i golit të parë, Sebastian Larsson, realizoi golin e dytë (90’) për ta vulosur fitoren e parë të Suedisë në këtë Kampionat Evropian, e cila nuk i hyn në punë, por mund të regjistrohet vetëm për statistika.
Pas dy fitoresh dhe një barazimi, Anglia kualifikohet nga pozita e parë në Grupin D, ndërsa Franca zë vendin e dytë me një fitore një barazim dhe një humbje.
Në çerekfinale do të shohim dy superndeshje, Itali-Angli dhe Spanjë-Francë.