www.Zemra.Org

Ariani dhe Selena nga Mitrovica, shqiptari dhe serbja që “thyejnë akullin” për një takim, dhe grinden në minutat e para (VIDEO)

“Kanë kaluar 20 vite nga lufta dhe konflikti mes Kosovës dhe Serbisë mbetet i pazgjidhur”. Kështu nis kronikën e mëngjesit transmetuesi britanik BBC.

“Jetoj në Kosovë, por jam serbe”, thotë një e re që luan në pianon e saj, ndërsa një i ri kosovar, teksa ushtron fitnes, e thotë atë që e mendojnë shumica e bashkëkombasve të tij: “ata po kërkojnë diçka që nuk është e tyre”.

E shpresat për paqen shtrihen te gjeneratat e pasluftës.

Ariani, 20 vjeç dhe Selena, 16 vjeç, tani po takohen për herë të parë.

“E kaluara nuk duhet të harrohet, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të veprojmë më mirë se ata”, thotë Ariani.

Ndërsa Selena mendon se nëse e ardhmja u takon rinisë, është më mirë që të gjejnë mirëkuptim së bashku.

Por a mund t’i lënë dallimet mbrapa krahëve?

Asnjë qytet nuk e shfaq më shumë ndasinë sesa Mitrovica. Serbët jetojnë nga njëra anë e lumit Ibër, ndërsa shqiptarët nga ana tjetër.

Në Urën e famshme të Mitrovicës, kalojnë nga njëra anë Ariani, e nga ana tjetër Selena. Që të dy të rinjve u takon barra që të bëjnë më të mirën e mundshme për të mos u humbur asnjë jetë shkaku i të politikave të këqija.

Ariani s’ka si ta kujtojë, por prindërit e tij e mbajnë mend si sot momentin kur lindi ai, në mesin e tymit të luftës, kur krejt çfarë ai kishte pranë ishte gjiri i nënës.

Ariani thotë se janë të lodhur, dhe thjesht duan që gjërat të përmirësohen, ndërsa Selena, e cila jeton në pjesën veriore të qytetit, thotë se nuk sheh të ardhme në atë pjesë.

“Kjo duket si tokë e askujt”, thotë korrespondentja e BBC teksa kalon mbi urën famëkeqe ku nuk ka qarkullim veturash.

Të dyja komunitetet rrallëherë bëhen bashkë.

Ariani dhe Selena janë rritur pak kilometra larg, pas luftës, por qëndrimet e tyre janë të formësuar nga historia e kaluar. Të dyja palëve, do t’u duhet mjaft shumë punë për zhdukur mospajtimin.

E BBC nuk ndalon me kaq. Korrespondentja insiston që Ariani dhe Selena të takohen pikërisht te Ura e Ibrit. Kjo, është hera e parë që dy të rinjtë bëjnë një bisedë me një anëtar të një komuniteti tjetër etnik.

Gjuha e tyre e përbashkët është anglishtja, dhe ashtu shpalosin frikën e tyre që të kalojnë nëpër pjesët ku jetojnë palët kundërshtare.

Ariani thotë se e kaluara duhet të lihet pas, por të mos harrohet, gjë që Selena s’e kupton pse.

Qysh në minutat e parë të bisedës, dy të rinjtë nisën t’i hedhin fajin njëri-tjetrit. Ariani i thotë Selenës se “ti kurrë nuk do ta dish atë që ne kemi përjetuar, pasi ju nuk e keni mbajtur mbi supe dëmin”.

Me kaq, Selena thotë se nuk e flet më asnjë fjalë dhe kërkon që të ndërpritet takimi.

Edhe BBC dorëzohet. Ata ndahen në anët e tyre me një “bye” të ftohtë, ashtu si ura, duke ndjellë frikën se mos konflikti do të trashëgohet te ata tek të cilët i kemi të varura shpresat.

Exit mobile version