www.Zemra.Org

Bastisjet në rajonin e Tetovës, reagojnë familjet

Familja Ismaili nga fshati Xhepçishtë e Tetovës është bastisur mbrëmë nga ana e njësiteve policore në kërkim të armëve, me ç`rast janë arrestuar dy anëtarë të kësaj familje.

Kryefamiljari Izair Ismaili deklaroi sot për agjencinë e lajmeve INA se forca të mëdha policore kanë ndërhyrë dhe kanë bastisur deri në orët e mëngjes gjithë shtëpinë e tij dhe objektet përreth në kërkim të armëve. Ai ka reaguar për demolimet dhe ndërhyrjen siç theksoi të “vrazhdë policore duke thyer gjithçka nëpër shtëpi”.

Ai thekson se nuk bëhet fjalë për kontrabandim me armë, por se ai është një zanatçi për riparimin e armëve dhe disponon licencë për këtë.

MPB pritet në një konferencë me mediat sot të publikojë tërë aksionin e realizuar, siç thuhet në kërkim të armëve ilegale. Sipas burime jozyrtare, gjatë këtij aksioni janë arrestuar 9 persona, ndërsa aksioni ishte ndjekur disa muaj më parë. Aksioni është kryer edhe në disa vendbanime tjera të Tetovës, me ç`rast janë konfiskuar sasi të konsiderueshme të armatimit.

“Në shtëpi na kanë marrë armët që i posedojmë me leje si dhe uniformat e ish-UÇK-së që i kemi kujtim nga lufta. Gjithashtu në mënyrë brutale janë arrestuar djemt e mij Imeri 34 vjeçar dhe Serveti 25 vjeçar, të cilët janë arrestuar jashtë shtëpisë dhe të cilëve nuk i janë gjetur armë. Nuk është normale që mbi 300 policë të ndërhyjnë ashtu në mënyrë brutale, sepse nuk ka asgjë të bëjë me akuzat e ngritura”, theksoi Izair Ismaili, i cili kërkon lirimin e djemve të tij.

Pranë kësaj familje sot ka qëndruar edhe deputeti i zonës, Daut Rexhepi – Leka, i cili e ka quajtur vepër represive ndërhyrjen e tillë policore, gjojë në kërkim të armëve dhe kontrabandës.

“Kjo është vazhdim i represionit në emër të kërkimit të armëve, por njëkohësisht edhe hakmarrje ndaj familjes Ismaili, e cila ka ndihmuar UÇK-në gjatë 2001”, theksoi deputeti i pavarur Rexhepi, duke apeluar për lirimin e djemve të arrestuar.

Exit mobile version