Në një deklaratë për shtyp, Fatos Nano sulmoi kryeministrin Sali Berisha për qëndrimin e tij pro kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, raporton Top Channel.
“Qëndrimi i Kryeministrit Sali Berisha në mbështetje të Kryetarit të KQZ-së Arben Ristani është as me pak e as me shume, por vazhdimësia kokëfortë dhe dritëshkurtër e mendësisë dhe udhëtimit politik aventuresk, që ngushton demokracinë, privatizon dhe partiakizon institucionet, si edhe dëmton e pengon integrimin”, thuhet në deklaratë.
Për Nanon, Berisha po dëshmon me këmbëngulje se është i paaftë të ndërtojë një shoqëri të lirë, të drejtë, demokratike dhe të denjë për të merituar integrimin, raporton Top Channel. “Sali Berisha punon veç për partinë e tij dhe për betejën e ardhshme elektorale, duke keqpërdorur dhe akaparuar shtetin, e njëkohësisht duke cenuar e dëmtuar zhvillimin e vendit dhe integrimin europian. Sali Berisha po dështon me vullnet të lirë që të jetë një shtetar, duke u konfirmuar dhe afirmuar në çdo akt, vendim e veprim si një partiak i modelit të lënë pas në vitin 1990”, vijon deklarata.
“Me avokatinë që i bën Arben Ristanit dhe me flamurin e Partisë Demokratike, që nga sot do të fillojë të valëvitet në zyrën e Ministrit të Brendshëm, Sali Berisha vetërrëfehet i orientuar drejt udhës që rrezikon reformat, kërcënon zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe ndëshkon shqiptarët me dështimin e radhës me mosmarrjen e statusit kandidat”, ka deklaruar Nano.