Kryetari i KF Teteksi, Stevo Alampioski ka bërë të ditur për “Lajm” se ndeshja do të zhvillohet në Tetovë. Ai shpreson se gjithçka do të jetë në rregull.
“Shpresojmë se ndeshja do të kaloj në mënyrën sa më korrekte që është e mundur, pasi nga klubi ynë janë marrë të gjitha masat e nevojshme”, ka thënë Alampioski. Shkëndija në renditjen tabelare është e treta me 21 pikë, kurse Teteksi i shtati me 17 pikë, por kanë nga një ndeshje të pak të luajtur. Tabelës i prijnë Metalurgu e Renova me nga 22 pikë.
Legjenda: Futbollistët e Shkëndijës pas ndeshjes me Pelisterin
Ballistët mund të përcjellin ndeshjen pa rekuizita të klubit
“Tifozët e Shkëndijës mund ta ndjekin ndeshjen, por ata në stadium s’mund të hyjnë me rekuizita të klubit të tyre. Ju e dini se ata janë të dënuar dhe nëse e duan klubin e tyre, duhet të respektojnë vendimet që janë në fuqi”, tha kryetari i Teteksit, Alampioski.
4500 bileta në shitje
Kryetari i Teteksit, Stevo Alampioski ka njoftuar se për derbin e së mërkurës do të lëshohen në shitje vetëm 4500 bileta. Sipas tij stadiumi ka kapacitet prej 7200 ulëseve. “Ne i kemi numëruar karriget dhe na dolën 7200 vende. Tribuna kryesore ka 2132 ulëse, VIP lozha 230, tribuna veriore 1700, kurse prapa golave janë nga 1300 ulëse”.