9 vjet burg për Liza Tabakun. Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Lushnjes për shpalljen fajtore dhe ka dënuar me 9 vite burg ish-drejtoreshën Arsimore në këtë qytet, e akuzuar për veprat penale; “Shpërdorimi i detyrës” dhe ”Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në rrethanat rënduese ”më shumë se një herë” dhe ”Duke shpërdoruar funksionin publik”.
Po ashtu, Gjykata ka dënuar edhe djalin e saj, shtetasin Xhonluko Tabaku, me 3 vjet burg, i akuzuar për veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në rrethanën rënduese ”më shumë se një herë”.
Ndërsa shtetasi Rigert Zeneli është dënuar me 1 vit burg, po për akuzën e “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, akuzohet se merrin para nga mësues të ndryshëm në zonën e Lushnjes, në këmbim të emërimit, transferimit apo moslëvizjes nga vendi i punës.
Gjykata ka dhënë vendimin pak ditë më parë, ndërkohë që është bere publik vetem sot. Ndërkohë që hetimi dhe gjykimi për këta persona është zhvilluar nën masën e sigurisë “arrest me burg”.
Procedura është zhvilluar me gjykim të shkurtuar, pasi të pandehurit pranuan aktet në gjendjen që ishin në dosjen hetimore të Prokurorisë së Lushnjes.