Vendim i Qeverisë për të paguar transportin dhe biletat për 1000 tifozë nga Shkupi për në Beograd si përkrahje për kombëtaren hendbollistike në kampionatin evropian, ka shkaktuar revoltë tek shqiptarët. Opozita shqiptare thotë se me këtë gjest në vend që t’i dënojë, Qeveria po u jep mbështetje huliganëve që skandalizuan opinionin me brohoritjet antishqiptare. “Duke marrë për baze së ne shqiptarët jemi kundër entofolizmit ku një komb orienton fyerje ndaj kombit tjetër të përkatësisë tjetër dhe duke pas parasysh këtë incident nuk është dashur që Qeveria me paratë e Buxhetit të stimulon këto fyerje që çojnë drejtpërdrejt në ngjalljen e konflikteve ndëretnike në Republikën e Maqedonisë”, tha Izet Zeqiri, deputet i Rilindjes Demokratike Kombëtare.
Skandali nga ndeshja me Çekinë ku u dëgjuan brohoritjet “shqiptarë të mallkuar”, dy ditë më pas u përsëritën edhe në ndeshjen me Danimarkën. Pritet që atmosferë të njëjtë antishqiptare të mbretërojë edhe në ndeshjen e sotme me Poloninë. Edhe pse sjellja e tifozëve dhe hendbollistëve maqedonas skandalizoi tërë opinionin, kryetari Nikola Gruevski tha se nuk i ka dëgjuar ato. “Nuk i kam dëgjuar, por nëse ka pasur brohoritje të tilla ashtu edhe siç thash, unë i dënoj të gjitha llojet e ofendimeve, veçanërisht nëse janë në baza etnike dhe fetare”, tha kryeministri Gruevski.
Sjellja e hendbollistëve dhe tifozëve maqedonas në kampionatin evropian në
Serbi ka ndarë edhe opinionin në Maqedoni. Përderisa maqedonasit me eufori po presin rezultate pozitive nga ky kampionat, mediat kanë njoftuar se shqiptarët e Maqedonisë kanë festuar nëpër lokale pas humbjes së Maqedonisë nga kombëtarja e Danimarkës.