“Lajm” mëson se trajneri boshnjak ishte ndarë i kënaqur nga paraqitja e disa futbollistëve “kuqezi”, dhe në bllokun e tij të shënimeve ka regjistruar dy-tre emra të cilët në të ardhmen mund të shërbejnë duke luajtur për Kombëtaren e Shqipërisë. Lojtarët e piketuar nga ana e tij kanë qenë mesfushorët Muhamet Huseini dhe Izair Emini. Ky i fundit e ka pranuar se ka qenë i njoftuar se dikush nga stafi teknik i selektorit Josip Kuzhe do ta vëzhgojë atë në një ndeshje futbolli. “Unë isha i njoftuar se loja ime do të ndiqet nga përfaqësues të Kombëtares shqiptare, por kontakte direkte nuk kam pasur me asnjë”, tha Emini, i cili më pas shtoi se më kënaqësi do të luante për Shqipërinë, nëse kjo e fundit i bënë një ftesë: “Me kënaqësi do të pranoja të luaja për Shqipërinë, pasi Maqedonia nuk interesohet për ne. Nëse më ftojnë atëherë për asnjë çast nuk do të isha menduar dhe do të zgjidhja Kombëtaren shqiptare”, theksoi 25-vjeçari.
Ndërkohë, zv.trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Xhemal Mustedanagic në një intervistë për të përditshmen sportive në Shqipëri “Sportekspres” kishte deklaruar: “Secili ëndërronte të vishte një ditë fanellën e Shqipërisë. Unë u propozova që të krijonin një ekip të shqiptarëve të Maqedonisë dhe të vinin të luanin ndeshje miqësore në Shqipëri”, kishte thënë ai.