Përveç Çmimit të Madh të “Top Fest 8”, ka rrëmbyer edhe trofeun e artistes më të mirë me këngën “Me ty”.
“Këto çmime do të thonë shumë për mua, sepse është hera e parë që marr pjesë në ‘Top Fest’. Falënderoj ‘Top Channel’ për këtë spektakël madhështor”, u shpreh Elvana gjatë ceremonisë së çmimeve.
Ritëm, muzikë, duartrokitje dhe emocione të pafundme. “Top Fest 8” ka triumfuar. E gjitha një natë për t’u shijuar. Skena e Pallatit të Kongreseve ka ushtuar nga muzika, në një interpretim i gjithi live.
Emocione në skenë dhe në sallë në çdo prezantim kënge. Pas një rrugëtimi të gjatë, edicioni i tetë i festivalit të muzikës moderne është mbyllur mbrëmë në një natë të gjatë, prezantuar nga Ledion Liço dhe motrat Marina e Luana.
Shoqëruar live nga orkestra e “Top Channel” drejtuar nga Dorian Gjoni, këngëtarët janë ngjitur në sfidën e fundit në skenë, ku çdo interpretim ishte i menduar si një numër i veçantë artistik.
Nëntë fitues janë ngjitur në skenë njëri pas tjetrit, për të marrë trofetë, dorëzuar nga personazhe të njohura të artit, spektaklit dhe sportit. “Top Fest 8” ka kurorëzuar që në minutat e para Artistin e Ri më të Mirë.
Këtë çmim që i ka shkuar këngëtares kosovare, Anxhelina Hadërgjonaj, vajza e këngëtares Albërie Hadërgjonaj, e ka dorëzuar Lori Hoxha në emër të Fondacionit Mediatik “Dritan Hoxha”.
Të gjitha këngët e këtij edicioni, ashtu siç është traditë, janë transmetuar gjatë në “Top Albania Radio”.
Kanë qenë dëgjuesit e saj që kanë zgjedhur edhe fituesin e këtij çmimi. Dj Aldo është ngjitur në skenë për t’ia dorëzuar trofeun grupit të njohur kosovar “NRG Band”, me këngën që tashmë është bërë hit, “Rina, Rina”.
Një tjetër këngë që këndohet kudo është “Tallava” e Flori Mumajesit që këtë edicion të tetë ka merituar Çmimin e Internetit.
“Ka shumë për të bërë. Kemi përpara vitin 2012, 2013”, ka thënë Flori gjatë marrjes së çmimit. Në hapësirën që ndante çmimet nga njëri-tjetri, publiku është argëtuar e madje ka kërcyer në sallë, nën ritmet e këngëve që arritën të shkojnë në natën finale të ‘Top Fest”.
Flaka Krelani, e njohur tashmë për zërin e saj të veçantë, ka qenë një nga finalistet që arriti të dalë edhe me çmim nga ky festival. Asaj i ka shkuar Çmimi për Këngën më të mirë Rrok dhe Alternativ.
Ndërsa Artisti më i Mirë Mashkull i këtij festivali është kurorëzuar Gent Bushpepaj.
Konkurrimi ka qenë i fortë për Çmimin Kënga më e mirë Pop dhe Rnb. Fituese ka dalë Xhensila Myrtezaj me këngën “Engjëlli im”.
Por “Top Fest 8” ka qenë edhe edicioni i surprizave. Ndryshe nga vitet e shkuara në konkurrim nuk ka pasur grupe, e për këtë qëllim organizatorët kanë vendosur të ndanin Çmimin për Baladën më të Mirë.
Këngëtari që e ka fituar është shumë i njohur për serenatat korçare, por Endri Prifti ka mundur të marrë trofeun për baladën më të mirë me këngën “Do vazhdoj të flas”, një çmim i mundësuar nga “Eagle Mobile”.
“Falënderoj ‘Top Channel’ për këtë spektakël gjigant që ka mundur të realizojë të gjithin live”, ka thënë Prifti, duke përshëndetur edhe familjen e tij.
Dy çmimet e fundit, Artistja më e mirë ka shkuar për Elvana Gjatën dhe Interpretuesi më i mirë për dy këngëtarët Anjeza Shahini dhe Dren Abazi.
Ajo që u pa mbrëmë në ekranin e ”Top Channel”, është transmetuar në teknologjinë e fundit HD dhe Full HD në “HD3”, ishte një spektakël madhështor në të gjithë komponentët e tij dhe një triumf i vlerave të vërteta artistike, të prezantuara gjatë gjithë kohës live.
Rrugëtimi i “Top Fest 8” ka qenë i gjatë. Bashkë me të edhe konkurrimi i këngëtarëve. I pari prezantim i tyre nisi në muajin shkurt, kur stafi i festivalit përzgjodhi 128 këngëtarë, emra të njohur e të rinj, për të qenë pjesë e edicionit të tetë.
Viti i dytë i interpretimit “live” bëri që festivalit të muzikës moderne t’i afroheshin edhe emra tashmë të afirmuar si Fisnikët”, Eliza Hoxha, Kujtim Prodani, Flaka Krelani, Anjeza Shahini, Teuta Kurti, Elvana Gjata, Flori Mumajesi etj.
Natës finale i ka paraprirë një fazë e gjatë e prezantimit të këngëve konkurruese përmes dy emisioneve të dedikuara, i pari i drejtuar nga motrat Marina dhe Luana Vjollca, ndërsa “Reëind” i drejtuar nga Ledion Liço.
Formula ishte ndryshe nga vitet e shkuara. Një natë çerekfinale, pastaj tri gjysmëfinale, për të arritur në natën e mbrëmshme ku u kurorëzua fituesi i Çmimit të Madh dhe nëntë fitues të tjerë.
“Top Fest 8” konfirmoi edhe njëherë suksesin e këtij formati dhe promovimin e artistëve nga të gjitha hapësirat shqiptare.