E përditshmja serbe “Kurir” , shkruan, duke shprehur mospajtimin, se “ky pranim është bërë edhe pse Radio Televizioni i Kosovës nuk është anëtar i kësaj organizate”.
Për këtë shkak në listën e pjesëmarrësve në këtë garë nuk ka përfaqësues të Serbisë, edhe pse Radio Televizioni i Serbisë është anëtar me të drejta të plota të EBU.
Sipas kësaj gazeta serbe, ndër 10 garuesit nuk do të jetë askush nga vendet e BE-së që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, përpos Greqisë.
Drejtori gjeneral i RTS-së, Aleksander Tijaniq, në një deklaratë për “Kurir” thotë se “reagimi i servisit tonë publik është i logjikshëm”.
“Ne kemi vetëm një votë në EBU, kështu që nuk mundemi që vetëm të marrim vendime. Për reagimin tonë për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë garë, mjaftueshëm flet fakti që Serbia nuk gjendet në listën e pjesëmarrësve”, thotë Tijaniq.
Sipas “Kurir”, ky rast nuk është për herë të parë. “Në gjysmëfinalen e parë të Eurosongut 2010 në Oslo, para paraqitjes së përfaqësuesit serb Milan Stankoviq, në panoramën me kontura të Serbisë nuk ka qenë Kosova, por kufijtë e Serbisë kanë qenë të mjegulluara. Kështu që, Kosova ka qenë e pamundshme të vërehet”.
Justin Ebenek, anëtar i ekipit, i cili ka realizuar Eurosongun 2010, ka deklaruar atëherë se Norvegjia si nikoqir nuk ka guxuar të paraqesë Kosovën në përbërje të Serbisë, pasi që ky shtet ndër të parët ka njohur pavarësinë e saj.
Në faqen zyrtare të kësaj gare, http://www.youngdancers.tv/, është paraqitur edhe profili i Kosovës si pjesëmarrës me të drejta të plota. Emri që për herë të parë do ta përfaqësojë Kosovën në këtë garë është këngëtarja Tringa Hysa, një 15-vjeçare nga Prishtina.