www.Zemra.Org

Femrat e dhunuara gjatë luftës në Kosovë: Marte Tunaj, na fal

Tregimi për gruan e guximshme jeton

Sot dua ta kujtoj Marte Tunajn, gruan e parë që dëshmoi publikisht kundër dhunimit dhe krimeve tjera seksuale të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. Sot i përulem asaj për guximin dhe kurajon që të dalë hapur dhe ta thotë të vërtetën në sy të botës. Sot i duartrokas asaj për këmbënguljen dhe ngulmimin e vazhdueshëm që të kërkojë drejtësi për të gjitha gratë dhe vajzat – viktima të dhunës seksuale në luftë. Sot e lavdëroj atë për përpjekjet e parreshtuara që ta fitojë drejtësinë nga Serbia dhe të njihet si “viktimë e luftës” nga Kosova – duke e luftuar në të njëjtën kohë stigmen dhe turpin shoqëror. Sot e ndjej proven e saj të hidhur, dhimbjen, pikëllimin, trishtimin, vuajtjen e zhgënjimin në rrugën e saj për drejtësi. Sot, unë jam Marte.

Për shumë femra, Nana Marte është simbol i kurajos. Ajo personifikon guximin dhe heroizmin. Tregimi i saj është i një gruaje të jashtëzakonshme – e cila kaloi nga një kontribuese e luftës në një grua të dhunuar në një luftëtare për drejtësi dhe mbrojtëse e viktimave të dhunës seksuale, në një nënë të traumatizuar dhe të sëmurë. Ajo doli mbi dhe përtej vetvetes që t’i mbrojë gratë dhe vajzat e dhunuara që vuajnë nga stigma dhe turpi shoqëror, padrejtësitë dhe diskriminimi për shkak të së kaluares.

Më 30 maj, 1999, Marte Tunaj, me origjinë nga Gjakova dhe e martuar në Viti, ishte marrë nga Millosh Jokiqi, paramilitar serb që kishte operuar në rajonin e Vitisë – dhe nën kërcënimin e thikës dhe armeve tjera – ishte detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me të, pa miratimin e saj.

“Refuzova me tërë forcën time, por ai e nxori thikën dhe nën kërcënimin e thikës, kreu marrëdhënie seksuale”. Jeta e saj do të ndryshonte përgjithmonë. Ajo u thye shpirtërisht por asnjëherë nuk iu dorëzua vullnetit të dhunuesit (RajoniPress, 5 Gusht, 2013).

Supozohet se mbi 20 mijë gra dhe vajza kosovare ishin abuzuar seksualisht nga forcat e armatosura të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë gjatë bombardimeve të NATO-s në Kosovë, ndërmjet periudhës mars-qershor 1999. Human Rights Watch kishte dokumentuar 96 raste, ndërsa sugjeronte se numri i vërtetë ishte shumë herë më i lartë (2001). Fatkeqësisht, numri i saktë kurrë nuk do të dihet. Ajo çfarë dihet, megjithatë, është se gratë dhe vajzat ishin tërhequr zvarrë nga radhët e refugjatëve dhe mëpastaj ishin dhunuar, nganjëherë vazhdimisht, para se të dërgoheshin në udhëtimin e tyre. Të tjerat në shtëpitë e tyre, shpesh në prani të familjarëve, ose në strehimin e përkohshëm që kishin gjetur për fëmijët e tyre dhe prindërit e vjetër (Amnesty International, 2017).

Rruga drejt drejtësisë: Triumfuese – me fund të pafat

Ishte e vështirë t’i tregonte familjes të vërtetën. Në fshehtësi ajo dha deklaratë në Polici kundër Jokiqit – i cili ishte arrestuar menjëherë nga forcat ndërkombëtare të KFOR-it, nën dyshimin për kryrjen e krimeve seksuale, përfshirë krime lufte kundër popullatës civile në Viti. Familja e saj, përfshirë burrin, e mësuan të vërtetën në ditën e gjykimit.

“Dëshiroj që të gjithë të pranishmit këtu sot, burri im, familja ime, dhe gazetarët…” e filloi dëshminë para trupit gjykues në Gjykatën e Qarkut në Gjilan i udhëhequr nga gjyqtari ndërkombëtar Patrice de Charette. Millosh Jokiq shpallet fajtor dhe dënohet me 20 vjet burg. Drejtësia vendoset në vend. “E mora guximin dhe i dhashë vetës detyrë që ta denoncoja në polici Jokiqin. E bëra këtë për hir të shumë nënave e grave shtatzëna që ishin keqtrajtuar nga Jokiq, dhe për hir të djalit tim, ushtari më i ri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. (RajoniPress, 5 Gusht, 2013)

Megjithatë, triumfi i saj nuk do të zgjasë shumë. Në vitin 2002, Jokiqi lirohet dhe kthehet në Serbi pas apelimit të rastit dhe si rezultat i një marrëveshjeje të nënshkruar nga atëherë shefi i Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Hans Haekerup, me autoritetet e Serbisë mbi shkëmbimin e të burgosurve. Lajmi ishte shkatërrues ndërsa la gjurmë të pashlyeshme që nga atëherë. Sidoqoftë, ajo nuk do të dorëzohej. Nana Marte vazhdoi luftën duke premtuar se do ta padiste dhunuesin e saj në një gjykatë ndërkombëtare – dhe bashkë me të edhe administratën e UNMIK-ut, siç kishte thënë, “që bëri pazare me ndjenjat tona”. “Është turp për Qeverinë e Kosovës dhe në veçanti për Ministrinë e Drejtësisë që ta falë Jokiqin. Ai kurrë nuk do duhej të falej”. (RajoniPress, 4 Maj, 2008)

“Lufta” në dy Fronte: Kërkimi i Drejtësisë nga Serbia, Luftimi i Stigmes në Kosovë

Nëse ekziston padrejtësi diku në botë, është ajo kundër të mbijetuarave të dhunës seksuale në Kosovë. Të injoruara, të mohuara brenda dhe jashtë Kosovës, të tëhuajsuara – dhe deri vonë – të refuzuara nga e drejta dhe statusi i “viktimës së luftës”. Ky është rrëfimi i hidhur!

UNMIK-u dhe Misioni i BE-së mbi Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), kanë dështuar, siç dokumenton Amnesty International, të bëjnë hetimin dhe ndjekjen krimeve mbi dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë: dhunimi dhe krimet tjera të dhunës seksuale nuk kanë qenë prioritet i bashkësisë ndërkombëtare (2017). UNMIK – me gjithë dosjet e shumta – ka dështuar që të dënojë të paktën një rast mbi krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit në rastet e dhunës seksuale (Amnesty International, 2008); ai dështoi që shpejt dhe në mënyrë efektive t’i hapë hetimet pavarësisht ekzistimit të dëshmive të të mbijetuarave që flisnin për incidente të shumfishta të dhunimit seksual, në të shumtën e rasteve nga disa autorë – policë, paramilitarë të Serbisë dhe ushtarë të ish ushtrisë Jugosllave – që përbëjnë krime të luftës torturë dhe krime kundër njerëzimit në rastin e dhunës seksuale; misioni dështoi që t’i informojë të mbijetuarat rreth progresit të arritur në rastet e tyre (Id., 2017). Dhe, oh, UNMIK nuk bëri përpjekje që të adaptojë një qasje në bazë gjinore dhe të dhunës seksuale, siç kishte ndodhur në Sierra Leone, për shkak të jogatishmërisë si dhe mungesës së ekpertizës, kapaciteteve dhe trajnimit që të merret me problematikën e të mbijetuarave të luftës (Id., 2008).

EULEX-i vazhdoi hapat e njëjtë duke dështuar që t’i hetojë qindra raste të krimeve të luftës të grumbulluara nga paraardhësi i tij, përfshirë dhunimin dhe krimet tjera seksuale. Në total, EULEX-i ka trajtuar vetëm katër raste (Amnesty International, 2017), përfshirë rastet e rihapura rishtazi kundër dy serbëve të Kosovës (BIRN, 16 Mars, 2020). Njëjtë, Gjykata Ndërkombëtare e Hages (ICTY) i ka përmbyllur vetëm dy raste: një kundër tre zyrtarëve të lartë policorë dhe ushtarak të Serbisë mbi krime lufte dhe krime kundër njerëzimit Kosovë bashkë me sulme seksuale si formë e ndjekjes penale dhe si krim kundër njerëzimit, dhe tjetri kundër një zyrtari të lartë nën akuzën për dhunë seksuale si krim kundër njerëzimit (Amnesty International, 2017).

Gjykata Speciale për Krime Lufte në Serbi, nga ana tjetër, i ka gjykuar dy raste kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, vetëm një ka rezultuar në dënim, kurse Prokurori Special i Kosovës (PSRK), tri raste – të gjitha kanë rezultuar në lirim (Id.). Siç e tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti dy muaj më parë në Parlament: “Në Kosovë, edhe 22 vjet pas luftës, nuk kemi akoma as edhe një aktgjykim përfundimtar fajësues në lidhje me rastet e përdhunimi në kohë lufte. Asnjë. Kemi vendime të shkallës së parë, të cilat janë kthyer mbrapsht në shkallët e apelit. Kjo, përkundër faktit që kemi gra e burra që kanë folur, kush publikisht e kush veç në Prokurori.” (Qeveria e Kosovës, 9 Mars, 2020)

Rritja e shqetësimeve rreth mungesës së provave që ishin dorëzuar nga të mbijetuarat e luftës në UNMIK, mungesa e vullnetit politik si dhe e kapaciteteve dhe resurseve në Kosovë, vazhdimi i kulturës jondëshkuese në Serbi – si dhe heshtja e femrave të dhunuara si pasojë e stigmes – hedhin në pikëpyetje mundësinë se këto krime do të ndiqen ndonjëherë.

Të zhgënjyera nga UNMIK-u, të zhgënjyera nga EULEX-i, nuk është aspak e çuditshme që të mbijetuarat nuk kanë ndonjë shpresë në sistemin e ri të drejtësisë në Kosovë – Amnesty International, 2017.

Frika nga zbulimi i identitetit, ishte njëra ndër arsyet kryesore pse shumë femra kosovare kishin refuzuar të dëshmonin kundër Millosheviqit në Hagë: ato që dëshmuan si dëshmitare anonime, ndërkohë, ndonëse të mbrojtura sa ishin në Tribunal ishin zbuluar me të kthyer në Kosovë, për rrjedhojë kishin kërcënuar se do të kryenin vetëvrasje (Waters, 2013).

Kristen Chick, gazetare e Foreign Policy citon një nga viktimat – e dhunuar nga bandat e forcave serbe në pjesën qendrore të Kosovës – e cila nga frika e turpi ka vuajtur në heshtje, dhe pastaj ka tentuar të bëjë vetëvrasje. Kur djali e saj e kishte zbuluar, ai kishte vetëm një pyetje për të: “Pse nuk i ke kërkuar që të të vrasin në vend se të të dhunojnë?” Siç shkruan Chick në artikullin “Fundi i turpit të viktimave të dhunuara në Kosovë”, “Stigma në rastet e dhunës seksuale, që buron nga zakonet tradicionale të cilat e lidhin nderin e burrit me pastërtinë seksuale të pjestares së tij të familjes, është akoma e ngulitur thellë këtu”. (22 Shkurt, 2016)

Reparacionet, njohja, falja publike: Asnjëra për Marte Tunajn

Dhunimi dhe format tjera të dhunës seksuale historikisht kanë qenë, dhe vazhdojnë të mbesin të “padukshme” dhe të “heshtura” – pavarësisht shifrave alarmante në nivel global. Ndjenja e fajit ose e turpit, frika nga hakmarrja, stigma ose izolimi social, barrierat materiale, si dhe mungesa e transportit – janë disa nga faktorët (Gaggioli, 2015). Tradicionalisht, ligji ndërkombëtar i ka dhënë trajtim jo të duhur përderisa ligji humanitar ndërkombëtar ka dështuar, deri së voni, që në mënyrë eksplicite ta karakterizojë, kodifikojë dhe përndjekë këtë krim, duke e njohur atë ma shumë si “efekt anësor të luftës” sesa krim serioz ndërkombëtar (Mitchell, 2005).

Jurisprudenca ndërkombëtare mbi krimin e dhunës seksuale, sidoqoftë, ka evoluar jashtëzakonisht shumë nga definimi i dhunës si cenim i “nderit” tek krim kundrejt “integritetit fizik dhe dinjitetit njerëzor” (Koeing, Lincoln, and Growth, 2011), “krim i luftës, gjenocid, dhe krim kundër njerëzimit” (Ellis, 2007) dhe “kërcënim i paqes dhe i sigurisë ndërkombëtare”. (Këshilli i Sigurimit i OKB-së, Rezoluta 1325/2000) Situata në terren, megjithatë, mbetet e rëndë. “Dhuna seksuale në konflikt”, siç paralajmëron Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres, vazhdon të përdoret si “taktikë e luftës” – bashkë me krimet tjera – të kryera nga disa palë në konflikt që nga Lindja e Mesme deri tek Afrika dhe Amerika Latine (S/2017/249).

Ligjërisht, statusi dhe të drejtat e viktimave të dhunës seksuale janë të njohura ndërkombëtarisht, rrjedhimisht, viktimat gëzojnë pesë forma të reparacioneve: dëmshpërblim, kompensim, rehabilitim, përmbyllja e rastit, dhe garantimi i mos-përsëritjes (Asambleja e Përgjithshme e OKB-së Rezoluta 60/147). Këshilli Ekonomik dhe Social i OKB-së (2002) propozon përfshirjen e programeve restorative (rehabilituese) të drejtësisë në çështjet kriminale në kuadër të drejtësisë tranzicionale siç është ofrimi i mundësisë që viktima të fitojë reparacionin, të ndihet e sigurt dhe kërkojë përmbyllje të rastit, lejimi i kryesit të krimit që të ndreqë dëmin dhe të marrë përgjegjësi për krimin, dhe t’ia mundësojë komuniteteve që të kuptojnë shkaqet kryesore të krimit (2012).

Mjerisht, asnjë nga këto masa nuk u aplikuan në rastin e Marte Tunajt dhe ndaj mijëra viktimave tjera të dhunës seksuale në Kosovë. Viktimave të luftës kurrë nuk u janë ofruar masa reparacioni edhe pse organizatat për të drejtat e njeriut vazhdimisht i kanë kërkuar UNMIK-ut që të ndërmarrë hapa konkret në realizimin e plotë dhe gjithpërfshirës të programeve të reparacionit (Amnesty International, 2009; 2017; UNMIK Human Rights Advisory Panel, 2012; 2016). Siç është argumentuar tashmë, komuniteti ndërkombëtar në Kosovë ka dështuar të merret me krimet e luftës – duke u fokusuar kryesisht në ndjekjen dhe gjykimin e autorëve të krimit sesa në trajtimin dhe rehabilitimin e viktimave të luftës – masat rehabilituese (Visoka, 2016). Serbia, nga ana e saj, asnjëherë nuk u ka ofruar falje publike viktimave të luftës në Kosovë dhe familjeve të tyre për krimet që i ka kryer Milosheviq në emër të popullit Serb; për më tepër, shumica dërmuese e krimeve të luftës kanë mbetur pa u ndëshkuar me mundësinë që kurrë të mos ndiqen.

Nana Marte nuk jetoi mjaftueshëm që ta shohë dhunuesin e saj të dënuar për krimin e bërë. Jo mjaftueshëm që ta fitojë drejtësinë, dëmshpërblehet dhe t’i kërkohet falje publike për atë që i është bërë. Dhe, sigurisht, jo mjaftueshëm sa të njihet si “viktimë e luftës” dhe të kompensohet si e tillë. Më 16 maj 2016, ajo vdiq si pasojë e kombinimit të traumës dhe diabetit që e kishte fituar pas luftës. Në ditën e varrimit, asnjëri nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës nuk ishte i pranishëm – përveç ish presidentes Atifete Jahjaga – e cila i dërgoi telegram ngushëllimi familjes së saj mëpastaj. Siç shkroi Imer Mushkolaj, analist politik: “Martja nuk jeton më, e neve të gjallëve na ka mbetur turpi që nuk bëmë asgjë për të”. (Ballkani@info, 19 Tetor, 2018)

Nuk e kam pasur shansin e jetës që ta takojë personalisht, por kam lexuar tregime për të. Fjalët e saj ende jehojnë: “Nuk dua që rasti im të mbetet sekret. Gjeneratat e reja duhet ta dinë historinë e Serbisë.” Marte Tunaj la prapa historinë e një gruaje të guximshme, rrëfimin e një nëne të cilës iu mohua drejtësia nga Serbia dhe iu refuzua statusi i “viktimës së luftës” nga Kosova – bashkë me stigmen dhe turpin shoqëror që përjetoi. Është dashur të kalojnë 15 vjet që institucionet e Kosovës t’ua njohin me ligj të mbijetuarave statusin e “viktimës së luftës.”

Procesi i identifikimit dhe njohjes së statusit të këtij grupi ka filluar në shkurt të vitit 2018. Deri tash kanë aplikuar mbi 1,050 persona, prej tyre 406 (394 femra dhe 12 meshkuj), e kanë fituar statusin dhe kanë filluar të marrin pensionin mujor në shumë prej 230 eurosh (Radio Evropa e Lirë, 5 korrik, 2019).

Marte Tunaj – dëshmitarja e parë!

Nana Marte është ndërgjegja jonë kombëtare, ajo është turpi ynë shoqëror. Ajo jetoi me vetëm 96 euro pension (invalidor) i ofruar nga Qeveria e Kosovës dhjetë vjet pas luftës – sigurisht jo mjaftueshëm që t’i mbulojë shpenzimet për trajtim mjekësor në Kosovë, Britani të Madhe dhe Zvicër. Asaj nuk i ishte ofruar ndihmë mjekësore e psikologjike dhe nuk kishte marrë kurrfarë mbështetjeje nga qeveritë lokale dhe qendrore. Sikur të mos kishte mjaftuar kjo, qeveria lokale e Vitisë e kishte hedhur në rrugë duke e larguar nga puna pas 22 vjetësh përvojë pune. “Nuk jam pishman për asgjë që kam bërë për Kosovën, por nuk mund të pajtohem me faktin se Qeveria e përkohshme më përzuri nga vendi i punës dhe askush kurrë nuk është përkujdesur për mua”. (RajoniPress, 4 Maj, 2008)

Marte Tunaj ishte gruaja e parë në Kosovë që dëshmoi publikisht si dëshmitare dhe paditëse – në gjyq dhe në praninë e mediave – kundër dhunës seksuale nga forcat paramilitare të Serbisë. Ky fakt duhet të vendoset një herë e përgjithmonë! Është e padrejtë dhe joprofesionale që t’i referohet Vasfije Krasniqit-Goodman si femra e parë që ka dëshmuar publikisht mbi dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, siç po bëjnë disa media dhe OJQ. Askush nuk mund t’i falsifikojë faktet, ta shtrembërojë të vërtetën, dhe shfytyrojë memorien kolektive! Të paktën, Kurti e ndreqi gabimin në ditën kur Vasfija foli në Parlamentin e Kosovës. “Kemi zonjën Marte Tunaj, e cila ishte e para grua që dëshmoi hapur për përdhunimin që kishte përjetuar…”. Kjo – në asnjë mënyrë – nuk tenton që ta zbehë dëshminë e guxmishme të Vasfijes.

Kontributi i Marte Tunajt është i pashembullt krahasuar me kohën kur ajo e kishte denoncuar krimin: herët në vitin 2000. Ajo ishte e zëshme gjatë procesit të identifikimit dhe njohjes së statusit të femrave të dhunuara: “Rrëfeni dhe rrëfeni, tregoni botës se çka ndodhi me ne”. Ajo ishte një kritikuese kokëfortë ndaj atyre që hezitonin të flisnin publikisht dhe të aplikonin për pension nga frika e identifikimit, etiketimit ose stigmatizimit: “Ato po gabojnë rëndë. Bota duhet ta dijë se çfarë kemi përjetuar”. Dhe, ajo kurrë nuk do t’i arsyetonte diskutimet dhe mospajtimet ndërmjet institucioneve nëse duhet t’u njihet statusi i viktimave të luftës të mbijetuareve të dhunës seksuale: “Ështe e turpshme!” (RajoniPress, 12 tetor, 2014)

Në përvjetorin e katërt të vdekjes së saj, le ta nderojmë për guximin dhe trimërinë! Le ta kujtojmë për këmbënguljen dhe përpjekjet e parreshtura! Le t’i ofrojme asaj falje publike – ndonëse me vonesë: Nana Marte, na fal! Nana Marte, na fal!

Tregimi vazhdon të jetojë: Ne, të gjitha, jemi Marte, Vasfije, Shyhrete…

Fatmirësisht, tregimi mbi Marte Tunajn ende jeton. Vasfija e ka vazhduar “misionin e saj të shenjtë” siç iu referua Kurti, duke u bërë një zë i fuqishëm “kundër stigmatizimit shoqëror dhe flasë publikisht rreth përvojës së hidhur të saj”. (BIRN, 16 Mars, 2020) Në fund të vitit 2018, ajo doli drejtpërdrejt në TV dhe i tregoi botës mbi dhunimin nga forcat paramilitare të Millosheviqit derisa ajo ishte vetëm 16 vjeç. “Mua më është mohuar drejtësia por kurrë nuk do të ndalem së kërkuari”, i tha ajo BIRN-it kohë më parë derisa kritikoi UNMIK-un dhe EULEX-in për dështim në sigurimin e drejtësisë për të dhe femrat tjera të dhunuara gjatë luftës (16 Mars, 2020).

Dy të dyshuarit në rastin e saj ishin liruar në vitin 2014. Muajin e kaluar, dy serbë të Kosovës janë akuzuar nën dyshimin për krime të luftës dhunim dhe krime tjera seksuale, njëri nga ta, Zoran Vukotic, në rastin e Vasfije Krasniqit. “Rasti aktual më jep shpresë se do të ri-vendoset drejtësia”. (Id.) Shyhrete Tahiri-Sylejmani, një e dhunuar tjetër, e ka ndjekur shembullin e Martes dhe Vasfijes duke dalë publikisht dhe treguar të vertetën mbi atë që i kishin bërë forcat paramilitare të Millosheviqit.

Unë jam Marte. Unë jam Vasfije. Unë jam Shyhrete…

(Rrëfimi dhe deklaratat e Marte Tunajt janë bazuar në intervistat dhe reportet që gazetari Musa Sabedini)

Exit mobile version