Luljeta Progni
50-vjeçarja, Valentina Tufina, e njohur me nofkën ‘tezja’, konsiderohet si “truri” i një rrjeti të fuqishëm të trafikut të kokainës nga Amerika Latine në drejtim të Europës, duke përdorur tranzit Shqipërinë.
Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda Valentina Tufina e cila është inxhiniere kimiste, ka rol kyç në rrjetin e trafikut, të goditur ditën e djeshme, ku janë kryer arrestime si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë. “Gazeta Shqiptare” shkruan se Valentina Tufina, është arrestuar në Kosovë, atje ku kishte ngritur një laborator, për përpunimin e kokainës dhe heroinës, pasi për shkak të profesionit si inxhiniere kimiste, sipas prokurorëve, jo vetëm që është njohëse shumë e mirë e cilësisë së drogërave të forta, por edhe merret me përzierjen e tyre.
Nga hetimet njëjavore, të kryera për këtë rrjet, rezulton se 50-vjeçarja administronte sasinë dhe çmimet e kokainës dhe heroinës dhe në njëfarë mënyre konsiderohet nga prokurorët, si ‘arka e buxhetit’ të rrjetit të trafikut, që duket se muajt e fundit po dominonte tregun.
Dyshimet e para se gruaja mund të kishte lidhje me ndonjë rrjet trafiku droge, lindën kur gjatë verifikimeve të para rezultonte se vetëm për një periudhë disa mujore në vitin 2013, kishte udhëtuar në shumë vende të botës, madje dhe në vendet e Amerikës Latine, aty ku dyshohet se siguroheshin drogërat e forta.
Në këtë mënyrë, 50-vjeçarja arrinte të krijonte kontaktet e duhura, me shtetas të huaj, të cilët i siguronin sasitë e drogërave të forta dhe më pas transportonin drogën, apo garantonin segmente të caktuara të ‘udhëtimit’ të lëndës narkotike nga Amerika Latine në drejtim të Shqipërisë dhe mandej me destinacion final vendet e Evropës Perëndimore.
Gruaja që njihej nga të gjithë si “tezja’, duket se i shërbente shumë rrjetit të trafikut, pasi kalonte nëpër aeroporte pa u vënë re dhe mendohet se çdo lëvizje e bënte të menduar mirë. Ndërkaq, në Kosovë, inxhinierja kimiste, kishte ngritur një laborator të përpunimit të drogërave, si heroinë e kokainë. “E dyshuara Tufina nga hetimet e para na rezulton se merrej jo vetëm me administrimin e cilësisë së lëndës narkotike, të sasive që shiteshin dhe trafikoheshin, por përcaktonte dhe çmimet”, tha një burim i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për “Gazeta Shqiptare”. Ndërkaq, duke u ndalur te rrjeti i trafikut, prokurorët thanë se dyshohen edhe të tjerë persona të përfshirë.