www.Zemra.Org

Isa Mustafa: Jap dorëheqje nëse nuk rritet LDK-ja

Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa i ka vënë “vijë të kuqe” partneritetit qeverisës me partinë e Hashim Thaçit. Ai është treguar i gatshëm të japë dorëheqje nëse nuk arrin që në zgjedhjet e 12 dhjetorit ta rrisë përqindjen që LDK-ja, e ka pasur në zgjedhjet e vitit 2007.

Në një intervistë për Kohën Ditore, ai ka premtuar qeveri ekspertësh, pa ministra në rast fitoreje. Ai ka folur për ndryshimet që ka bërë në LDK dhe për balancën midis gjeneratave që mëton ta krijojë pa dridhje, e trazira. Ka folur edhe për mosbesimin për të qeverisur që ka në ish ministrat, të cilët i ka dhënë deri tash LDK-ja.

Mustafa ka premtuar njerëz të rinj, e të painkriminuar në resorë ekzekutiv, në rast se LDK-ja del e para në zgjedhje.

Por, në rast se LDK-ja mbetet pas PDK-së, ai është treguar i gatshëm të lërë partinë për herë të parë në historikun e saj si opozitë. Kjo, ngaqë i ka vënë “vijë të kuqe” partneritetit qeverisës me partinë e Thaçit.

Mustafa nuk e ndien veten shkaktar të afrimit të Bujar Bukoshit dhe Ukë Rugovës me partinë e Ramush Haradinajt. Tregon se i ka thënë shefit të tij të dikurshëm, se lufta për reforma duhet të zhvillohet brenda partisë, e jo jashtë saj. Kurse, për djalin e presidentit Rugova është i sigurt se i ka dalë hakut. Kryetari i LDK-së, ka shpjeguar se i ka ofruar vend në listë për deputetë, edhe pse në parim nuk ka pasur nevojë ta bënte një gjë të tillë.

I pari i LDK-së, vazhdon të ketë respekt për pararendësin e tij, Fatmir Sejdiu dhe nuk përjashton mundësinë që t’i kërkojë falje nëse nuk arrin t’ia sjellë një votë më shumë së zgjedhjet e 2007.

Ai befasohet se si sot askush nuk e akuzon Jakup Krasniqin se po shkel Kushtetutën, duke kryer aktivitete partiake në cilësinë e ushtruesit të detyrës së presidentit, po aq sa nuk e akuzon askush kryeministrin në dorëheqje, Hashim Thaçi që e ka kthyer në punë ish kryetarin e Rahovecit, 45 ditë pas dorëheqjes së tij.

Mustafa është treguar i gatshëm që ta lërë postin e kryetarit të komunës së Prishtinës, vetëm në rast se partia e tij konsideron se ai duhet të bëhet kryeministër. Ka thënë se nuk do të vepronte njësoj për postin e deputetit.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë, që dikush tjetër nga LDK-ja të mund të marrë drejtimin e Qeverisë, por është shprehur kategorik që postin e kryeministrit të mos ia lërë ndonjë partie tjetër.

Exit mobile version