Sipas mediave zvicerane, 28 vjeçari që u vetvra është Emrush.I, nga Kosova, por me pasaportë serbe, ndërsa bashkëshortja e tij e plagosur është Vlora.I, 24 vjeç me shtetësi zvicerane dhe të Kosovës.
Tragjedia ndodhi dje pasdite në një parking të një qendre tregtare fëmijësh në Dietlikon, kur 28 vjeçari plagosi me një pistoletë bashkëshorten e tij dhe më pas shkrepi një plumb në kokën e tij, duke mbetur i vdekur.
Klinika Universitare në Cyrih bën të ditur se bashkëshortja e plagosur është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe kritike, pasi që është qëlluar me tre plumba në pjesë të ndjeshme të trupit.
Fqinjët e kësaj familje nga Kosova theksojnë se çifti para disa muajve po përballej me probleme dhe krizë të bashkëshortësisë, edhe pse kishin fëmijën e tyre 3 vjeçar. Një muaj më parë kanë ndërhyrë njësitet speciale të policisë zvicerane në shtëpinë e këtij çifti dhe kishin arrestuar Emrushin për shkak të ushtrimit të dhunës ndaj gruas së tij.
Sipas dëshmitarëve policia atë natë kishte thyer dyert e banesës dhe ka ndërhyrë për të shmangur dhunën, por vetëm 24 orë më vonë, Emrush.I ishte liruar nga policia, pasi që bashkëshortja e tij nuk kishte ngritur akuzë për dhunë.
Bashkëshortja disa muaj më parë ishte këshilluar nga entet sociale zvicerane për t`u divorcuar nga burri i dhunshëm, për shkak se ajo disa herë kishte qenë viktimë e dhunës dhe brutalitetit të ushtruar nga burri i saj. Por ajo më në fund para një jave kishte bërë kërkesën për divorc.
“Vlora para një jave kishte kërkuar divorcin nga bashkëshorti dhe nuk dijmë më detaje të tjera se çfarë ka ndodhur”, deklaroi vëllai i Vlorës, i cili ka pranuar se nuk ka pasur njohuri se Emrushi posedonte pistoletë dhe mund të kishte shkaktuar këtë tragjedi.