www.Zemra.Org

Kushti gjerman: Serbia ta njohë Kosovën

Serbia në fund të negociatave për anëtarësim në BE, do të duhet të japë një përgjigje të qartë në drejtim të pavarësisë dhe njohjes së Kosovës.

Unë jam i vetëdijshëm se procese të caktuara marrin më shumë kohë. Megjithatë, duhet ta njohë realitetin që lufta e ka prodhuar. Serbia duhet të përqendrohet në sfidat e ardhshme, të tilla si globalizimi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka thënë Gunther Krichbaum, kryetar i Komisionit për Çështje të BE-së në Parlamentin e Gjermanisë dhe zyrtar i partisë në pushtet, Unionit Kristiano-Demokrat (CDU).

“Çdo vend që dëshiron t’i bashkohet BE-së duhet të ketë marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Grupi parlamentar i CDU-së së Angela Merkelit dhe Unionit Kristiano-Social, të cilit grup i takoj unë në Bundestag, dëshiron që para përfundimit të negociatave të përcaktohen qartë raportet e mira fqinjësore midis Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë ai për ditoren serbe “Danas”. “Tash kërkohen më shumë përmbushjet e kritereve, sidomos pas anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë. Edhe Kroacia është dashtë që të përmbushë kushtet që i janë parashtruar. Se sa ishin të suksesshme përpjekjet e Serbisë, këtë do ta thotë në ditët e ardhshme raporti i Komisionit Evropian”.

Në pyetjen nëse kjo do të thotë se Beogradi duhet njohë de facto apo de jure pavarësinë e Kosovës, diplomati gjerman pyet: “Ku është dallimi këtu”!? Ndërsa, në reagimin e gazetarit se për Serbinë ekziston dallimi dhe nëse ekziston mundësia e përdorimit të modeleve të dy Gjermanive, Krichbaum shton: “Edhe Gjermania ka humbur territore pas Luftës së Dytë Botërore. Kufijtë e Gjermanisë më 1937 ishin ndryshe nga sot. Tani është e rëndësishme që qytetarët të jetojnë në paqe, në demokraci dhe shtetin ligjor”.

Exit mobile version