www.Zemra.Org

Liderët shqiptarë do të bojkotojnë 8 Shtatorin

Liderët e parive politike shqiptare nuk do të marrin pjesë në manifestimin e pavarësisë së Maqedonisë, i cili do të mbahet më 8 shtator. Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) do të përfaqësohet në nivel të lartë në këtë manifestim, mirëpo sipas të gjitha gjasave jo nga lideri i partisë Ali Ahmeti.

“Ende nuk është vendosur se kush do ta përfaqësojë BDI-në në këtë manifestim, por përfaqësuesi do të jetë zyrtar i lartë i kësaj partie”, tha zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani. “Lajm” më herët ka shkruar se Ahmeti, pritet ta bojkotojë këtë manifestim ashtu siç e bojkotoi kryeministri Nikolla Gruevski shënimin e 10 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) plotësisht do ta bojkotojë këtë manifestim. Sipas zëdhënësit Agon Ferati arsyeja e bojkotit të këtij manifestimi është se ka mjaft çështje më të rëndësishme se ky manifestim me të cilat duhet të merren si parti. “PDSH nuk do të merr pjesë në këtë manifestim, sepse nuk luan rolin e politikanëve të entuziazmuar dhe ka mjaft çështje tjera më të rëndësishme për shqiptarët në të cilat duhet fokusuar.

Këto janë arsyet se pse PDSH bojkoton këtë manifestim një palësh”, tha Ferati. Paralajmërime të sigurta për bojkot vijnë edhe nga Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) e Rufi Osmanit. “Nuk shohim element shqiptar në këtë manifestim dhe për këtë arsye RDK do të bojkotojë atë.
Pasi Maqedonia është shtet multietnik, bëjmë apel që edhe partitë tjera të bojkotojnë këtë manifestim monoetnik”, deklaroi zëdhënësi i RDK-së, Armir Radani. Më 8 Shtator të vitit 1991 në Maqedoni u realizua referendumi për shkëputje të Maqedonisë nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë (RSFJ).

Edhe pse Maqedonia po pavarësohej nga një shtet i cili poashtu u shkaktoi dëme të mëdha shqiptarëve, shqiptarët në Maqedoni e bojkotuan referendumin sepse nuk kishte asnjë sinjal se Maqedonia e pavarur do të ndryshojë kursin jugosllav ndaj tyre.

Për këtë arsye edhe historianët duke analizuar nga prizmi i tyre, vlerësojnë se kjo datë nuk e meriton akoma respektin e shqiptarëve të këtushëm. “Gjendja e shqiptarëve në Maqedoni është përkeqësuar
me pavarësinë e këtij shteti, andaj mendoj se nuk ia vlen që partitë shqiptare të jenë pjesë e këtij manifestimi”, thekson historiani Nebi Dervishi.

Exit mobile version