www.Zemra.Org

Nuk Isha “Luli” dhe SHIK-u Ishte Tjetër

Më 2008, SHIK-u kishte 92 anëtarë. Kriter për të hyrë në këtë organizatë ishte “pastërtia nacionale”. Drejtohej nga Kadri Veseli, Ilmi Reçica, Latif Gashi, Fatmir Xhelili, Fadil Demaku, Ilmi Ramadani dhe Ferat Shala. Por aty nuk ishin Nazim Ballca dhe Naim Miftari. Të parin, që iu drejtua me “dëshmitari juaj (i prokurorisë)”, e akuzoi për gënjeshtra dhe tha se praktikat që Bllaca i ka përmendur në dëshmitë e tij nuk ishin të vërteta për SHIK-un, ndërsa të dytin, të cilin tha se e kishte takuar më parë, e quajti manipulant nafte.

Njeriu që ka udhëhequr shërbime spiunazhi për më shumë se një dekadë është obliguar të flasë për to para një kolegji të Gjykatës së Qarkut të Prishtinës, për herë parë.

Kadri Veseli ka kallëzuar se tash, kur janë bërë katër vite pas deklarimit të mbylljes zyrtare të SHIK-ut në vitin 2008, po merret me studime post-diplomike si dhe po menaxhon një kompani që merret me tregti kompjuterësh. As universitetin e as kompaninë nuk i ka përmendur me emër.

Por ish-shefi i SHIK-ut ka bërë veprime prej agjenti kur është shfaqur në një sallë të Gjykatës Supreme  ku mbahej seanca e rastit “Bllaca 2”, të mërkuren, pasi ai ka shfrytëzuar hyrjen e pasme të objektit duke iu ikur kështu kamerave. Ai e ka bërë të njëjtën, edhe kur ka dalë pas gjashtë orësh marrje në pyetje, në cilësinë e dëshmitarit, në rastin “Bllaca 2”.

Në këtë proces gjyqësor Shaban Syla, Bekim Syla, Shpresim Uka, Sadik Abazi, Fahredin Gashi e Driton Hajdari akuzohen për vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe tentimvrasjen e Adem Salihajt e Ismet Arifit.

Ish-kreu i SHIK-ut ka pohuar se asnjëri prej gjashtë të akuzuarve nuk ka qenë pjesë e kësaj organizate.

Për Ismet Arifin, që dyshohet t’i kenë bërë atentat, e po ashtu edhe Adem Salihajn, Veseli ka thënë se i njeh vetëm si emra.

Kurse me Ibush Kllokoqin kishte dashur të takohej, por nuk kishte pasur sukses. “Për shkak të informacioneve që ka pasur Ibush Kllokoqi, ne kemi tentuar të takohemi me të. Ai ka pasur shumë informata të Shërbimit Sekret Serb të cilat do të mund të na ndihmonin”, ka thënë Veseli.

Ndërkohë për Adem Salihajn ka thënë se me të ishin takuar zyrtarisht oficerët e SHIK-ut.
“Oficerët e SHIK-ut janë takuar me të kur ka qenë kryetar komune njëjtë siç kanë bërë me kryetarë tjerë komunash”, ka thënë Veseli.

Ai është pyetur për emrin e oficerit që e takoi Salihajn.

“Nuk mund ta zbuloj se njerëzit po i keqpërdorin emrat”, ka thënë ai duke marrë një letër dhe një laps për të shkruar vetëm inicialet e zyrtarit të SHIK-ut dhe duke ia dorëzuar gjykatësit.

“Nuk mund ta zbuloj se njerëzit po i keqpërdorin emrat” Kadri Veseli

Për këtë ka marrë vërejtje nga kryetari i kolegjit.

“Z.Veseli kjo nuk është shaka, duhet ta thoni emrin”, ka thënë Tommasen.

Pas kësaj, Veseli ka thënë se krejt çka mund të bëjë është të shënojë në letër emrin e plotë, por jo edhe ta lexojë publikisht në seancë.

Kriter pastërtia nacionale 

Për operimin e SHIK-ut nuk ishte një ligj të veçantë dhe veprimtaria i legjitimohej nga marrëveshja e arritur në Konferencën e Rambujesë.

“Njëra prej pikave të marrëveshjes së Rambujesë ka qenë funksionimi i një shërbimi informativ brenda Qeverisë së Përkohshme të Kosovës”, ka thënë Veseli. Për krijimin e SHIK-ut, sipas tij, janë pajtuar nënshkruesit e kësaj marrëveshje që janë Hashim Thaçi, më vonë kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, Ibrahim Rugova President i vendit, Rexhep Qosja si dhe dy njerëz të mediave Veton Surroi e Blerim Shala.

Prokurorja Ema Rizato ka pyetur Veselin se si është zgjedhur shef i Shërbimit Informativ të Kosovës. “Për këtë duhet të pyetet Kryeministri i Atëhershëm dhe Kryeministri aktual. Është i njëjti”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se para të merrte detyrën si shef i SHIK-ut në mars të 1999-es kishte qenë shef i Zbulim-Kundër-Zbulim, një shërbim spiunazhi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ndërkohë Shërbimi Informativ i Kosovës, sipas tij, kishte nisur të funksiononte në kuadër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. “Deri në janar të vitit 2000 kemi pasur financa të rregullta nga QPK-ja. Më vonë financat nuk kanë qenë të rregullta”, ka thënë Veseli pa sqaruar se nga kush financohej SHIK-u pas atij viti, por për këtë gjë nuk është pyetur as nga prokurorja Rizato.

 “Deri në janar të vitit 2000 kemi pasur financa të rregullta nga QPK-ja. Më vonë financat nuk kanë qenë të rregullta” Kadri Veseli

Menjëherë pas luftës, në SHIK, ka treguar Veseli, paga minimale ishte 150 euro e cila ishte afër 200 euro kah viti 2008 kur edhe u mbyll zyrtarisht ky shërbim.

Ai nuk ka kallëzuar sa ishte paguar si shef i SHIK-ut kur është pyetur nga prokurorja. “Është sekret. Ndoshta edhe nuk kam marrë fare rrogë në SHIK”, ka deklaruar Veseli.

Organizata, sipas tij, kishte një financier si dhe një listë të punëtorëve për të cilët Veseli nuk ka pranuar që tua bëjë publikë emrat.

“Ka ekzistuar një formë përmes të cilës i kanë marrë paratë dhe një tjetër përmes të cilës kanë dhënë dëshminë se i kanë marrë paratë. Ka ekzistuar një njeri që i ka dhënë paratë. Është një njeri që tash është 60 vjeçar dhe që gjithmonë ka mbajtur mustaqe”, ka thënë Veseli, duke shtuar se SHIK-u fillimisht paguante me marka e pastaj me euro. “Veç me dinarë nuk kemi paguar kurrë”, ka thënë Veseli.

Deri në dhjetor të 99-es, ka kallëzuar Veseli, SHIK-u kishte pasur diku 30 anëtarë ndërsa në vitin 2008 numri kishte shkuar deri në 92 veta.

“Nuk ka asnjë anëtarë të SHIK-ut që unë nuk e kam takuar”, ka thënë Veseli duke shtuar se kriter për të qenë pjesë e organizatës ka qenë “pastërtia nacionale”.

Veseli është pyetur edhe për hierarkinë e SHIK-ut ku fillimisht nuk ka pranuar të flasë publikisht për emrat e tyre. “Nuk është koha të bëhen publikë pasi njerëzit po manipulojnë me emrat e tyre”, ka thënë Veseli dhe i ka dorëzuar Kryetarit të Trupit Gjykues Torre Tomasen një skemë ku shihej hierarkia e SHIK-ut.

Tomasen i ka rekomanduar se këtë fillimisht duhet t’ia dorëzoj prokurores.

Më pastaj Veseli është pyetur se a mund t’ia dorëzojë prokurorja këtë skemë palëve. Veseli në fund ka dhënë pajtimin e tij se skema mund të bëhet publike.

Në këtë skemë shihet se Kadri Veseli ishte numri një i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe pasohej nga Ilmi Reqica si zëvendësshef i SHIK-ut.

Latif Gashi, tash deputet i PDK-së, ishte Drejtor i Përgjithshëm e deputeti tjetër i kësaj partie Fatmir Xhelili udhëhiqte Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar. Po ashtu një deputet tjetër i PDK-së Fadil Demaku udhëhiqte drejtorinë kundër terrorizmit e drejtori i Trepçës Ferat Shala udhëhiqte drejtorinë e Intelegjencës, ndërsa Ilmi Ramadani udhëhiqte Drejtorinë e Informimit e Analizave.

Struktura e SHIK-ut e prezantuar nga Kadri Veseli në gjykatë

“Bllaca gënjeshtar, Miftari manipulant i naftës”

Veseli nuk i përmendte emrin Nazim Bllacës në gjykatore por kur fliste për të i drejtohej prokurores duke i thënë se “dëshmitari juaj” nuk ka qenë kurrë pjesë e SHIK-ut.

“Dëshmitari juaj as nuk ka qenë kurrë në SHIK e as nuk ka kryer asnjë shërbim për SHIK-un. Ka një dallim mes të qenit anëtarë dhe kryerjes së një shërbimi për SHIK-un. Bllaca nuk besoj që e ka kryer as këtë të dytën”, ka thënë Veseli.

Bllaca, sipas tij, ka gënjyer kur ka thënë se SHIK-u kishte kartela identifikuese. “Kurrë nuk kemi pasur ID”, ka thënë Veseli.

As nofkat që Bllaca pretendon se janë përdorur në SHIK, sipas Veselit, nuk janë të qëndrueshme.

“Nuk kemi pasur aso nofka siç thotë dëshmitari i juaj. Kanë qenë tjera. Unë për shembull kam pasur nofkë tjetër e jo “Luli”, siç më thërrasin shoqëria”, ka thënë ish-shefi i SHIK-ut.

Veseli, po ashtu, ka pohuar se nuk janë të vërteta as pretendimet e Naim Miftarit, një person tjetër që pretendon se ka qenë pjesë e SHIK-ut dhe i cili deklaron se i janë ofruar para për të kryer vrasje politike.

“Nuk kemi pasur aso nofka siç thotë dëshmitari i juaj. Kanë qenë tjera. Unë për shembull kam pasur nofkë tjetër e jo “Luli.” Kadri Veseli

Atë Veseli e ka vlerësuar si një manipulues që ka keqpërdor emrin e SHIK-ut duke thënë se e kanë zënë tri herë duke e bërë këtë. “E kemi lajmëruar tek autoritetet e UNMIK-ut kur e kemi zënë duke e keqpërdorë emrin e SHIK-ut”, ka thënë Veseli.

Për manipulimet e Miftarit SHIK-u, sipas tij, ishte njoftuar edhe nga një shërbim i huaj.

“Ne jemi informuar nga një shërbim i huaj se ai ishte duke bërë kontrabandë me naftë dhe se kishte pasur problem pronësie në një kompani nafte. Për ti zgjidhur këto ishte thirrur në emër të njerëzve të caktuar duke manipuluar kështu me organizatën tonë dhe organizata tjera”, ka deklaruar Veseli.

Miftarin thotë ta ketë njohur për herë të parë në tetor të vitit ‘99 kur i pari në zyrën e Veselit në SHIK, siç ky i fundit pretendon, ishte prezantuar si përfaqësues i Ministrisë së Rendit të Qeverisë së Përkohshme.

Exit mobile version