Sipas tyre mos pjesëmarrja e ministrave shqiptarë në shëtitjet e kryeministrit për të kërkuar investitor të huaj është një element plus që tregon se edhe në të ardhmen nuk priten investime në rajonet shqiptare.
Kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), Menderez Kuçi, thotë se rajonet shqiptare po lihen në harresë jo për shkak të Gruevskit, por për shkak të partive shqiptare. “Nuk ka fare investime në rajonet shqiptare. Ky rajon po lihet në harresë, jo për shkak të Gruevskit, për shkak të partisë që është në pushtet, pasi Gruevski po i realizon qëllimet e veta.
Çfarë strategjie ekonomike ka partneri shqiptar që është në qeveri, sa i reflektohet një platforme ekonomike të cilën e nënshkruam edhe ne. Duhen bërë investime në infrastrukturë, nuk mund të bësh Zonë të lirë ekonomike kur e ke lënë gjithë ferra”, thotë Kuçi.
Sipas kryetarit të OEMVP mungon mbështetja e vetë ministrave shqiptarë nga partia që i ka emëruar. “Nuk mund të themi se ministrat tanë janë të paaftë, por mungon mbështetja ndaj tyre, pasi adoleshentët që ka emërtuar Gruevski nuk mund të jenë më të aftë se ministrat tanë”, thotë Kuçi, duke shtuar se faji i mbetet edhe opozitës. “Përderisa nuk ka opozitë të fortë, ose bashkim të opozitës gjërat do të vazhdojnë të mbeten kështu. Në agjendën e Gruevskit nuk është që të investojë në zonat shqiptare, por megjithatë asnjëherë nuk bëhet qeveri pa marrëveshje”, thotë ai duke shtuar se kjo gjendje ka qenë që në vitin 1992. “Shqiptarët nuk marrin dot as 10-të për qind edhe pse participojnë me 50-të për qind”, thotë Kuçi.
Po ashtu edhe në shëtitjet që i bën kryeministri nëpër botë për të kërkuar investitorë të huaj në ekipin e tij nuk merr shqiptarë me vete. Ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se shqiptarët duhet të jenë pjesë e tyre por jo si dekor.
“Patjetër duhet të ketë shqiptarë në këto takime. Ndryshe do të ishte po qe se nëpër këto takime kishte edhe përfaqësues shqiptarë, pasi ata në mënyrë të drejtpërdrejtë do të tregonin edhe për atë pjesë të Maqedonisë. Do të ishte shumë më efikase pjesëmarrja e tyre, aq më tepër kur është edhe obligim i Qeverisë sepse ky vend është edhe i shqiptarëve. Do të ishte mirë që edhe shqiptarët të ishin aty, pasi jep një pasqyrë të keqe, por jo vetëm të jenë si dekor, por të sjellin investime edhe në këto zona”, thotë Nasir Selimi, profesor në Universitetin e Evropës Juglindorë.