www.Zemra.Org

Pakënaqësi me testin e maturës

Një ditë pas mbajtjes së testit të maturës – provimit kombëtar, arsimtarë dhe nxënës që kanë pasur të bënin me të, kanë shpërfaqur pakënaqësi serioze, një prej të cilave është shpërputhja e planprogrameve mësimore me përmbajtjen e testit të maturës.

Ka edhe arsimtarë të cilët kanë thënë se një pjesë e madhe e përmbajtjes së testit nuk ka të bëjë fare me lëndët që janë mësuar në fusha të ndryshme të shkollave të mesme. Por, zyrtarët e Ministrisë së Arsimit i hedhin poshtë këto akuza.

Profesori në shkollën e mesme të përgjithshme “Fehmi Agani” në Klinë, Ali Morina, ka thënë se 40 për qind e materies së shtjelluar për katër vite mësimi nuk është e përfaqësuar me asnjë të vetmen pyetje në testin e maturës.

Sipas tij, mosharmonizimi i përmbajtjes së testit të maturës me planprogramet mësimore u krijon telashe nxënësve.

Ai, i bindur se po e paraqet shqetësimin e nxënësve për mospërfshirjen e testeve me planprograme mësimore, është shprehur se hartuesit e testit kombëtar duhet të bëjnë një punë më të mençur cilësore dhe jo vetëm sasiore, shkruan “Koha Ditore”.

Nxënësja maturante e gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, suksesi i së cilës gjatë 3 viteve të ndjekjes së mësimit në këtë shkollë ishte i shkëlqyeshëm, ka thënë se në test kanë pasur pyetje për figurat letrare stilistike, derisa, siç është shprehur ajo, asnjëherë gjatë shkollimit të mesëm nuk kanë mësuar për to.

Deklaratat e mosharmonizimit të testit me planprogramet mësimore, zëvendësministri i MASHT-it, njëherësh udhëheqës i KQSHM-së, Nehat Mustafa, i ka vlerësuar të pasakta. Ai ka thënë se nga Ministria bëhen politikat, ndërsa harmonizimin me testin e maturës e kanë bërë ekspertët e arsimit, në ç’grup ka pasur edhe profesorë shkollash të mesme dhe të fakulteteve. Sipas tij, përmbajtjen e testit e kanë bërë profesorët e fakulteteve.

“Nuk ekziston as edhe një pyetje në test, që është pa mbështetje në planet mësimore”, tha ai.

Exit mobile version